1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel: Evropa është më e mirë se emri i saj

N. Verkhojzer10 Maj 2006

E ardhmja e pasigurt e Evropës - strategji për një politikë të re të BE-së. Kjo është tema e forumit të sivjetshëm për Evropën, organizuar dje prej WDR-s në Berlin

https://p.dw.com/p/Aqq3
Angela Merkel para forumit
Angela Merkel para forumitFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Tri teza i bien në mend kancelares Angela Merkel për BE në këto kohë: "Së pari, Evropa është më e mirë se emri i saj, së dyti, Evropa nuk është aq e mirë sa mund të jetë dhe së treti: Evropa duhet, por Evropa edhe mund të bëhet më e mirë."

BE ka një problem pranimi, deklaroi Merkeli në lidhje me tezën e saj të parë dhe vuan nga suksesi i vet. E parë nga një perspektivë historike, BE është: "...një sukses madhështor, por për një brez të ri, që rritet në këtë Evropë, ai nuk është më diçka e veçantë, por thjesht një gjendje, e cila mund të përfytyrohet që të jetë edhe ndryshe."

BE pranohet jo vetëm si një gjendje e natyrshme e pandryshueshme, por edhe si hapësirë e mikëpritur projektimi për problemet nacionale, analizoi Merkeli.

"Kjo do të thotë, me bindjen time më të thellë unë mund të them, se është e domosdoshme që procesi i integrimit të Evropës të mbahet aktiv, sepse ndryshe një kthim prapa mund të sjellë me shumë mundësi pasoja, të cilat ne nuk i duam."

Edhe për dobësitë e tij duhet të punojë BE, për mendimin e kancelares, në mënyrë që të bëhet më efektiv dhe më i shpejtë. Propozimi i saj: "Pas zgjedhjesh, propozimet për direktiva dhe ligjvënie rrëzohen dhe duhen paraqitur nga e para, në mënyrë që të debatohet nga e para. Edhe ky mund të ishte një kontribut për "better regulation".

Të ardhmen e BE Merkeli mund ta përfytyrojë vetëm me një kushtetutë dhe me kufij të qartë, përsa i përket zgjerimit. Jo të gjitha vendet mund të bëhen anëtare të BE, dhe këtyre u duhet ofruar një politikë më e mirë fqinjësie.

Prestigji negativ i BE ishte edhe tema në diskutimin që pasoi. Gregor Gizi, nga Partia e Majtë në Bundestag tregoi mirëkuptim për hallet e njerëzve: "Dhe tani ne kemi të bëjmë me një zhvillim neoliberal, i cili brenda BE organizon një konkurencë, sipas së cilës, vendi me tatimet dhe pagat dhe standardet ekologjike më të ulta ka përparësi. Dhe ky zhvillim i frikëson me të drejtë njerëzit."

Këtë paraqitje e kundërshtoi Komisari i BE për Sipërmarrjet dhe Industrinë dhe zëvëndespresidenti i Komisionit Evropian, Gynter Verhojgen: "A më lejoni të pyes, se cila do të ishte alternativa, po të mos kishim tregun e brendshëm evropian, në të cilin konkurenca zhvillohet me kushte të barabarta dhe korrekte? Atëherë do të kishim edhe më tej konkurencë midis ekonomive popullore. Do të kishim dogana mbrojtëse, pengesa importi dhe kuota."

Eshtë gabim të thuhet se tregu i brendshëm ka çuar në uljen e standarteve në Evropë, tha Verhojgeni. E vetmja përgjigje ndaj një ekonomie të globalizuar është një bashkëpunim edhe më i ngushtë në Evropë.