1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ante Gotovina arrin në Hollandë

Ludger Kazmierczak10 Dhjetor 2005

Spanja dorëzoi në Hagë ish gjeneralin kroat Ante Gotovina, i cili kërkohej që prej vitit 2001. Të shtunën Gotovina u fut në burgun e Kombeve të Bashkuara Sheveningen. Ai akuzohet ndër të tjera për vrasjen e 150 serbëve gjatë luftës së kroatëve për pavarësi.

https://p.dw.com/p/Aqrv
Ish gjenerali kroat Ante Gotovina
Ish gjenerali kroat Ante GotovinaFotografi: AP

Qindra gazetarë ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit të së shtunës përpara burgut të Shevingenit. Të gjithë prisnin arritjen e ish gjeneralit kroat Gotovina. Kur më në fund arriti makina e blinduar me të arrestuarin Gotovina, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pas një breshërie me fotografi, forcat e policisë u zhdukën së bashku me Gotovinën pas portës së burgut.

Tani ish gjenerali kroat do të presë në qelinë e tij fillimin e procesit gjyqësor. Të hënën ai do të paraqitet përpara trupit gjykues. Prokuroria e përgjithshme e akuzon 50 vjeçarin për vrasje, përndjekje, dëbim të civilistëve si edhe shkatërrim dhe plaçkitje në qindra qytete dhe fshatëra.

Gotovina, i cili vlerësohet si hero në atdheun e tij, ishte komandanti i njësive kroate, të cilat sulmuan në verë të viti 1995 provincën e Krajinës. Gjatë këtij aksioni u vranë të paktën 150 serbë dhe u dëbuan nga shtëpite e tyre mbi 150.000 njerëz. Sidomos gra, fëmijë dhe pleq që nuk pranuan të largohen nga shtëpitë e tyre, nuk e mbijetuan aksion e quajtur "Rrufeja".

Emrat e viktimave të identifikuara, qëndrojnë në listën e prokurorisë. Ndër ta ndodhet edhe 90 vjeçarja Maria Grubor, e cila u dogj e gjallë më 25 gusht 1995 dhe fqinji i saj 80 vjeçar Milloc, i cili u pushkatua po atë ditë. Sipas prokurorisë, shumica e viktimave u torturuan dhe keqtrajtuan përpara se të pushkatoheshin.

Qëllimi i aksionit "Rrufeja" ishte sipas prokurorisë së Hagës, dëbimi sistematik i të gjithë serbëve nga rajoni i Krajinës. Djegja e mbi 10.000 shtëpive e dëshmon këtë fakt. Gazetarë të huaj që e vizituan Krajinën pas ofensivës kroate, treguan se ky rajon ishte kthyer në një shkretëtirë të plotë.


Që pas shpalljes së akuzës përpara 4 vitesh, Ante Gotovina ishtë një ndër kriminelët më të kërkuar të luftës nga Tribunali i Hagës. Ndërkohë në atdheun e tij, Gotovina mbahet si një patriot i guximshëm dhe hero. Ish presidenti kroat Tuxhman, i cili është sipas Tribunalit të Hagës gjithashtu kriminel lufte, e mbrojti deri në fund ish gjeneralin Gotovina. Vetëm pas vdekjes së tij, u shua edhe ylli i gjeneralit Gotovina.

Ante Gotovina u arrestua të mërkurën e kaluar në Tenerifa. Një avion ushtarak spanjoll e solli atë të shtunën në Hollandë. Sidoqoftë procesi gjyqësor nuk pritet të fillojë përpara disa muajsh.