1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Antologjia "Shqipëria tregon, 1945-1991"

7 Nëntor 2009

Në Tiranë u prezantua antologjia e prozës shqiptare për periudhën e diktaturës komuniste. "Shqipëria tregon, 1945-1991" është përmbledhje e 28 autorëve dhe botohet me rastin e 20 vjetorit të rënies së murit të Berlini.

https://p.dw.com/p/KQa3
Ardian Klosi, udhëheqës i Shoqatës Robert SchwartzFotografi: Arben Muka

Histori të kalvarit të mundimeve e vuajtjeve në periudhën e rregjimit komunist. Rikthim tek ngjarja e rënies së murit të Berlinit dhe kthesa e madhe që përfshiu më pas të gjitha vendet e ish-bllokut lindor. Proceset demokratike në Shqipëri, ndarja me të shkuarën dhe fryma e ndryshimeve drejt rrjedhave europiane. Në esencë këto janë disa ngacmimet kryesore për autorët e antologjisë së prozës shqiptare që u prezantua në kuadër të axhendës "Tetori Gjerman 2009". Botimi ka titullin domethënës "Shqipëria tregon, 1945-1991".

Për ideatorin e këtij projekti artistik, kryetar i shoqatës kulturore gjermano shqiptare "Robert Schwartz", dr. Ardian Klosi, botimi ka vlerë për lexuesin e gjerë. Ai thotë për Deutsche Wellen se, për fat të keq në Shqipëri nuk ka antologji të mira të letërsisë së re shqipe.

"Disa antologji që botohen lart e poshtë duket se janë në vazhdën e botimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve në epokën e komunizmit. Ndaj dhe e ndjejmë nevojën, aq më tepër në një kohë të tillë kur kujtohet 20 vjetori i rënies së murit të Berlinit, ku shkrimtarët dhe autorët e ndryshëm reflektojnë. Ky libër është një reflektim për Shqipërinë nën diktaturë. Që nëpërmjet zërave të ndryshëm të krijojë një histori, ose të rindërtohet një histori. Gjithmonë në fokusin e letërsisë dhe të shkrimtarëve", thotë Klosi.

Antologjia - ide shumë pozitive

Shkrimtari dhe pedagogu i letërsisë, Agron Tufa, e shikon mjaft pozitivisht idenë e hartimit të një përmbledhje të tillë. Ai shprehet për DW-në, se kjo është mënyra më e mirë për t'iu kundërvënë shpërdorimit me historinë, apo kthimit të kurrizit asaj që ka ndodhur realisht në të kaluarën.

Treffen des Vereins Robert Schwartz in Tirana
Shoqata Robert Schwartz - vend i takimeve të shumtaFotografi: Arben Muka

"Mënyrës me të cilën qarqe të caktuara politike shqiptare apo struktura të tjera, që përpiqen të anashkalojnë problemin e kujtesës, problemin e rezistencës. Në këtë moment krijohet përshtypja se kjo harresë përpiqet të mbushet me diçka tjetër. Mua më intereson në planin e struktutës psikike të atyre njerëzve që e kanë përjetuar atë periudhë të rregjimit komunist", thotë Tufa.

Vera Bekteshi është njera prej autoreve në këtë antologji. Ajo dhe familja e saj kanë qenë të persekutuara nga regjimi komunist. Bekteshi e përshkruan si një moment mjaft emocional në jetën e saj rënien e murit të Berlinit.

"Se unë kur isha e re dhe ndiqeshin studimet në vendet e tjera socialiste ëndërroja të studjoja në Gjermani. Se isha e fortë në matematikë dhe në fizikë dhe doja të studjoja në një vend ku këto shkenca me Gausin, Ajshtajnin e plot të tjerë ishin në majat e shkencës të fizikës dhe matematikës. Dhe çuditërisht nuk ndodhi. Unë kam vizituar rreth 30 vende të botë apo diçka më shumë dhe në Gjermani nuk kam qënë asnjëherë. Kam qënë deri në breg të Rinit, diku në Strasburg, në kufirin mes dy shteteve. Por nuk e kam kapërcyer asnjëherë dhe më ka mbetur peng. Sepse pak a shumë e njoh kulturën gjermane dhe e dua pa masë atë", tehkson ajo.

Botimi i Antologjisë "Shqipëria tregon, 1945 - 1991" u shoqërua dhe me një konkurs të krijuesve të prozës se re, organizuar nga shoqata kulturore gjermano shqiptare "Robert Schwartz". Autorët lexuan tekstet e tyre, ndërkohë që përkthyesit kanë prezantuar variantin në gjermanisht të këtyre krijimeve. Aktiviteti u mbështet nga Instituti "Göthe".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani