1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aprovohet ndihma gjermane për Greqinë

7 Maj 2010

Parlamenti gjerman miratoi sot me shumicë votash 391 pro, 72 kundër, 143 absteinme ndihmën financiare për Greqinë. Koalicioni konservator-liberal e mori në mbrojtje shumën prej 22,4 miliardë eurosh. SPD, abstenoi.

https://p.dw.com/p/NIcK
Parlamenti gjerman aprovon ndihmën për Greqinë.
Parlamenti gjerman aprovon ndihmën për Greqinë.Fotografi: AP

Ministri gjerman i financave Wolfgang Schaeuble (CDU) apeloi tek deputetët që të votojnë për pakon e ndihmës ndaj Greqisë për të ruajtur qëndrueshmërinë e Euros dhe të bashkësisë monetare të Evropës. “Një përvojë të ngajshme me një situatë të tillë me një vend anëtar të bashkësisë monetare nuk e kemi patur më parë. Prandaj duhet ta përballojmë këtë krizë me ato instrumente dhe marrëveshje që kemi në dispozicion," tha ndër të tjera Schäuble në parlament.

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dhe ai i Financave, Wolfgang Schaeuble.
Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dhe ai i Financave, Wolfgang Schaeuble.Fotografi: AP

“Nuk kemi asnjë alternativë tjetër më të mirë dhe të më të përgjegjshme. Të gjithë na thonë se do të ishte rrënuese, në se do të lejonim që një vend i antar i BE-së dhe Bashkësisë Monetare, siç është Greqia, të bëhej i paaftë për të paguar,“ – argumentoi politikani demokristian. Por ai në të njëjtën kohë bëri thirrje që nga kjo krizë të nxirren mësimet e duhura, duke pasur parasysh rregullimin e tregjeve financiare.

Bankat duhet të paguajnë

Lidhur me kërkesën e shtruar nga opozita për të vendosur taksa mbi transaksionet financiare, Schäuble tha se në këtë moment nuk ka asnjë shans që ky tatim të realizohet në nivel global. Qeveria gjermane ka kërkuar ndërkohë nga bankat që të japin një kontribut të caktuar.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel.Fotografi: AP

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel e justifikoi qëndrimin abstenues të grupit parlamentar të partisë së vet. Qeveria kërkon t'ia lërë barrën tatimpaguesve, sipërmarrjeve të mesme dhe punëmarrësve, janë këta që duhet të paguajnë për sjelljen e papërgjegjshme në tregjet financiare e që po e mbajnë peng Evropën, tha Gabriel. „Qytetaret dhe qytetarët e Evropës për ne nuk janë thjesht objekte, që duhet të tolerojnë dhe durojnë interesat e tregjeve financiare dhe të kapitalit. Ideja evropiane e vendos interesin e përbashkët mbi atë vetjak, zhvillimin e qëndrueshëm përmbi shfrytëzimin e paskrupullt të njeriut dhe natyrës dhe të drejtat universale të njeriut dhe demokracinë mbi të drejtën e më të fuqishmit. Kjo është arsyeja, se përse ne sot kërkojmë më shumë se thjesht një autorizim kredie dhe këtë kemi parasysh kur themi, që më në fund duam t'ia kthejmë Evropën qytetareve dhe qytetarëve të saj”, - tha më tej kryetari i partisë më të madhe të opozitës.

Fillimisht SPD-ja kishte sinjalizuar se do ta miratonte pakon e ndihmës ndaj Greqisë. Por në momentin e fundit, partia e vogël qeveritare, ajo e liberale e ministrit të jashtëm Guido Westerwelle, nuk i pranoi kushtet e socialdemokratëve për kompromis, prandaj edhe socialdemokratët vendosën të abstenojnë. Përveç dy partive të koalicionit, CDU/CSU paketën e miratuan edhe të Gjelbrit ndërsa E majta doli kundër.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama