1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arsye për të reflektuar mbi politikën evropiane të sigurisë - Raporti për luftën në Kaukaz fajëson të dyja palët

2 Tetor 2009

Për Gjeorgjinë dhe Rusinë ai nuk do të sjellë shumë ndryshime. Por raporti i paraqitur tani për luftën e Kaukazit duhet ta vërë në mendime BE-në.

https://p.dw.com/p/JwNd
Diplomatja zviceriane Heidi Tagliavini, drejtuese e ekipit hetimor për luftën e Kaukazit.
Diplomatja zviceriane Heidi Tagliavini, drejtuese e ekipit hetimor për luftën e Kaukazit.Fotografi: AP

Diplomatja zvicerane Heidi Tagliavini dhe ekipi i saj ndërkombëtar, kanë bërë punë të shkëlqyer. Në raportin e tyre të paraqitur të mërkurën në Bruksel për shkaqet dhe ecurinë e luftës pesëditore ruso-gjeorgjiane në gusht 2008, ata arrijnë në një përfundim bindës, meqenëse ai është i diferencuar: luftën e nisi natën prej 7 deri më 8 gusht Gjeorgjia, por Rusia mban një përgjegjësi të konsiderueshme, për shkak të provokacioneve disamujore. Rusia gjithashtu shkeli të drejtën ndërkombëtare gjatë luftës. Bashkimit Evropian, i cili kërkoi në dhjetor 2008 që të hartohet ky raport, me propozim të ministrit të jashtëm Frank Valter Shtajnmajer, nuk i jepet nota më e lartë: BE u përpoq me shumë vonesë dhe me shumë lëkundje që ta shmangë konfliktin.

Rusia dhe Gjeorgjia shohin të konfirmuara në raport qëndrimet e tyre

Megjithë këtë rezultat të balancuar, mendimet e ndryshme për luftën midis Gjeorgjisë dhe Rusisë mund të mbeten edhe më tej të pandryshuara. Vërtet që komisioni me ekspertë të lartë foli në hulumtimet e tij në Moskë, Tbilis, Cinvali dhe Suhumi me thuajse të gjithë aktorët kryesorë të luftës, por interpretimet e raportit janë të ndryshme. Secila nga palët e sheh veten të konfirmuar deri në njëfarë mase nga raporti.

Vërtet që për udhëheqjen gjeorgjiane rreth presidentit Mihail Sakashvili është zhgënjyes fakti që raporti nuk e konfirmon tezën gjeorgjiane, sipas të cilit sulmi ndaj Osetisë Jugore ishte reagim i marshimit rus. Megjithatë, Gjeorgjia mund t'i referohet faktit që me provokacionet disamujore, ajo e ashpërsoi konfliktin dhe mori dëshminë për sjellje në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Këto do t'i gjejnë në raport edhe mbështetësit evropianolindorë të Sakashvilit - Polonia, shtetet balltike dhe Ukraina. Ata e shohin veten jo së fundi të rrezikuar edhe në sigurinë e tyre, për shkak të sjelljes sipas tyre imperialiste të Rusisë.

Edhe Kremlini e interpreton raportin në një dritë pozitive për të. Udhëheqja ruse tërheq vëmendjen me kënaqësi në konstatimin se ishte Gjeorgjia ajo që e nisi luftën. Por provokimet dhe sjelljen në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare Rusia i kundërshton me forcë. Në Rusi me siguri që do të artikulohet edhe më tej teza, sipas së cilës diplomatët e SHBA gjoja e kanë mbështetur Sakashvilin në aventurën e tij ushtarake, megjithëse raporti nuk e konfirmon këtë.

Raporti nuk pritet të ketë ndikim konkret në qëndrimin e palëve në konflikt

Pasojat konkrete të raportit solid dhe të detajuar duhet të jenë të pakta. As që mund të pritet që Rusia ta rimendojë qëndrimin e deritashëm të saj dhe njohjen diplomatike të Osetisë Jugore dhe Abkazisë. As nga Gjeorgjia nuk mund të pritet që të heqë dorë nga pretendimi i saj për rajonet e diskutueshme, edhe nëse presidentit Sakashvili mund t'i hapen telashe nga ky raport në politikën e brendshme. Konflikti ka ngrirë dhe ajo që mund të shpresohet në rastin më të mirë është mosshpërthimi i një konflikti të ri ushtarak.

Megjithatë, raporti duhet të iniciojë një diskutim intensiv, se si mund të marrin ish-republikat sovjetike që duan afrim me Perëndimin, një garanci sigurie përballë një Rusie që vepron si në të kaluarën. Përndryshe, puna e shkëlqyer e komisionit hetimor do të mbetet vetëm një kontribut për historiografinë evropiane.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Auron Dodi