1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arti i ribashkuar gjerman

Peter Zimmermann1 Tetor 2005

Në Lindje ndryshimi është më dinamik

https://p.dw.com/p/Ar2g
Pamje nga Dresdeni, njëri prej qyteteve më të bukura gjermane
Pamje nga Dresdeni, njëri prej qyteteve më të bukura gjermaneFotografi: dpa ZB - Fotoreport

"Ne jemi populli!", kjo ishte thirrja e gjermanolindorëve kur luftonin për liri nën regjimin komunist. Ajo u shndërrua në "Ne jemi një popull", kur konservatorët bavarezë u bashkuan me ta në demonstratat e njohura të së hënës në Lajpcig. Nuk zgjati shumë dhe Muri i Berlinit ra. Pas ndarjes 40 vjeçare dy pjesët e Gjermanisë nuk mund të kishin qenë më të ndryshme, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht; por tradita e përbashkët kulturore shihej si baza për të qenë një komb. Më 3 tetor 1990 Gjermania u ribashkua.

Në një pikturë në murin e galerisë më të njohur berlineze të artit "Eigen & Art" një zotëri i veshur mirë shikon me dylbi në një djerrinë të vetmuar. Ai sheh vetëm natyrë. Duket sikur përplasen dy botë.

Si burri në pikturë, Gerd-Harry Lybcke një koleksionist i veshur mirë u nis të blinte vepra të reja arti në Gjermaninë Lindore pas rënies së Murit. Ai zbuloi të ashtuquajturën "shkollë të Lajpcigut", e cila ringjalli një stil të realizmit konsekuent, i refuzuar ky në Gjermaninë Perëndimore të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Lybcke është i ndërgjegjshëm që koleksionistëve në Lindje nuk u shet punime të "shkollës së Lajpcigut". Përmirësimi konjunkturor nuk ka ndodhur ende. Paraja fitohet gjetiu. E megjithatë, thotë Lybcke, artistë të rinj, të mrekullueshëm nga Perëndimi erdhën për të studiuar në Lajpcig:

"Vihet nga një mbushullim që është i zbrazët në një varfëri që është plot. Artistët mund të zbulojnë vetveten, ka mjaft mundësi për të porovuar. Ata hedhin firmat në punimet e tyre dhe marrin përgjegjësinë për veprën. Këto janë kushte ideale për formimin e karakterit."

Landet lindore gjermane shpenzojnë shumë më tepër para sesa ato perëndimore. Atyre edhe u duhet ta bëjnë këtë.

15 vlet më parë Gjermania Lindore ish-komuniste solli në marrëveshjen e bashkimit një listë të gjatë institucionesh kulturore të financuara nga shteti: 217 teatro, 87 orkestra simfonike, 955 muze dhe qendra përkujtimore, më shumë se 200 shkolla muzikore, 9.349 biblioteka dhe 250.000 monumente arkitekturore e historike duheshin mbështetur. Gottfried Kiesow drejton fondacionin gjerman për mbrojtjen e monumenteve historike. Ai thotë se në tri vitet e para pas ribashkimit Gjermania pagoi thuajse dy miliardë dollarë për programe kulturore dhe rinovime arkitekturore.

"Qytetet gjermanolindore ishin ruajtur më mirë, megjithëse ishin mjaft të dëmtuara si ndërtime. Kush ndërmerr më pak, bën edhe më pak gabime."

Qytete të tëra u desh të rinovohen pas rënies së Murit; por substanca historike kishte mbetur. Në 15 vitet e fundit qendrat kulturore të qyteteve Wajmar, Pocdam, Lajpcig, Dresden dhe Gërlic kanë lulëzuar. Pallate, kështjella e shtëpi qytezash, teatro, qendra përkujtimore e muze janë restauruar me shumë shpenzime. Sot ato tregojnë përsëri kulmin e traditës së përbashkët kulturore gjermane të shekujve XVIII, XIX. Ato janë kthyer në vende të identitetit kombëtar. Potenciali kulturor i Gjermanisë Lindore është kthyer në një faktor të fuqishëm ekonomik.

Gjermania është ribashkuar, por vendi është ende larg "unitetit të brendshëm". Nuk është tradita jonë kulturore, shekullore që na bën një. Është dialogu mbi dallimet ai që do të kontribuojë për një mirëkuptim më të përsosur.