1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asambleja federale në Berlin do të zgjedhë presidentin e ri të Gjermanisë

Kornelia Rabic21 Maj 2004

Tradicionalisht më 23 maj, në ditën e aprovimit të ligjit themelor të Gjermanisë në vitin 1949, cdo pesë vjet mblidhet asambleja federale për zgjedhjen e presidentit. Të djelën në Gjermani sërish do të votohet për një president të ri. Cila është përbërja e asamblesë federale, si zgjidhjet presidneti i Gjermanisë dhe ç´ kompetenca e detyra ka presidenti?

https://p.dw.com/p/Ar6b

Salla plenare e Bundestagut është bërë gati për ditën e votimit, fletët e votimeve dhe fletëhyrjet kanë dalë nga shtypshkronja dhe ndërkohë janë dërguar edhe ftesat për personalitetet e ftuara dhe vëzhguesit. Në këtë mënyrë tani pritet vetëm që të vijnë 1.205 zgjedhësit, të cilët do të japin votën e tyre për presidentin e ardhshëm të Gjermanisë.

Asambleja federale mblidhet një herë në pesë vjet. Gjysma e saj përbëhet nga deputetë të Bundestagut, ndërsa gjysma tjetër janë të deleguarit e parlamenteve të 16 landeve federale. Në këtë mënyrë akti festiv fiton edhe më shumë shkëlqim, pasi partitë i pasurojnë radhët e tyre në këtë ditë duke ftuar personalitete të ndryshme. Këtë vit p.sh. do të votojnë edhe yje nga fusha e kulturës, artit dhe sportit. Ndër ta do të jenë artistet Nina Hos dhe Renan Demirkan, tenismeni Mihael Shtih, legjenda e skisë Rozi Mitermeier dhe patinatorja Klaudia Pehshtajn. Personalitete të tjera që do të votojnë për presidentin e ardhshëm janë edhe stilistja Xhete Jop, princesha Gloria von Turn dhe Taksis, shefi i porshes Vendelin Viedeking dhe kryetari i kryesisë së koncernit të automobilëve Volksvagen, Peter Hartc.

Unioni kristjandemokrat/kristjansocial në opozitë dhe partia liberale këtë radhë kanë një avantazh të lehtë, sepse së bashku ata kanë 622 vota, pra vetëm 18 vota më shumë nga sa janë të nevojshme për shumicën absolute. Partia socialdmeokrate ka 461 delegatë, partia ekologjike 89 dhe partia e socializmit demokratik 31 delegatë.

Votimi fillon më 23 maj në orën 12 në mesditë. Votimi bëhet pa fjalime paraprake. Në raundin e parë është e nevojshme shumica absolute, madje kjo kërkohet edhe në rastin e një raundi të dytë. Vetëm në raundin e tretë përcaktohet fitues kandidati ose kandidatja me numrin më të madh të votave. Kreu i shtetit bën betimin për marrjen e postit më 1 korrik.

Presidenti federal ka shumë më pak kompetenca krahasuar me presidentin në Francë, në SHBA apo në Rusi. Në Gjermani presidenti është në krye të vendit, por ai ka pushtet të kufizuar dhe tradicionalisht ai konsiderohet thjeshtë si autoritet moral. Presidenti i Gjermanisë është një personalitet që mban postin dhe e karakterizon vetë atë. Shpesh herë presidentët federal nëpërmjet fjalimeve dhe deklaratave publike influencojnë ndaj politikës dhe shoqërisë.

Detyra e presidentit është që të përfaqësojë republikën si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ai emëron dhe shkarkon kancelarin, antarët e qeverisë, gjyqtarët dhe nëpunësit e lartë të shtetit. Presidenti në Gjermani në raste të vecanta ka edhe kompetencën për shpërndarjen e Bundestagut, verifikon dhe nënshkruan ligjet, ndan urdhërat dhe vendos, se cili prej personaliteteve duhet të nderohet me urdhërin e lartë të republikës. Edhe e drejta e faljes së dënimeve është kompetencë e presidentit.

Presidenti merr përsipër edhe detyra sociale: ai është mbikqyrës i shumë organizatave, është si të thuash nun nderi për familjet me shumë fëmijë, ose u drejton personalisht urimet të moshuarve që i kalojnë të 100 vjecët në Gjermani.

Jashtë vendin presidenti e përfaqëson Republikën Federale të Gjermanisë në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare - vizitat shtetërore janë një komponent i rëndësishëm i politikës së jashtme, pasi ato i shërbejnë vendosjes dhe thellimit të marrëdhënieve politike.

Selia e presidentit është kështjella Bellevue në Berlin - këtu më 24 maj do të vërshojnë kompanitë e ndërtimit: sepse kështjella duhet rinovuar. Pasardhësit të presidentit Johanes Rau provizorisht do t´i duhet të banojë në një godinë tjetër, ndërkohë që kabineti i tij i punës do të jetë në zyrën presidenciale dhe si ambjente të vogla për pritje gjatë kësaj periudhe do të shërbejë shtëpia e miqve pranë ministrisë së jashtme. Në raste ceremonishë të mëdha do të hapen portat e kështjellës tjetër të Berlinit Sharlotenburg.