1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashpërsohet lufta për pushtet në Ukrainë

Herman Krause10 Prill 2007

Parlamenti i Ukrainës ka ashpërsuar të hënën konfliktin me presidentin. Deputetët paralajmëruan se do të pajtohen me mbajtjen e zgjedhjeve të reja vetëm në qoftë se Viktor Jushçenko pranon që edhe zgjedhjet presidenciale të mbahen para kohe.

https://p.dw.com/p/ArIy
Jushçenko dhe Janukoviç
Jushçenko dhe JanukoviçFotografi: AP

Shumica parlamentare e cila është nën kontrollin e kryeministrit Viktor Janukoviç ka kërkuar edhe mbajtjen e referendumit në Ukrainë, lidhur me angazhimet e presidentit për anëtarësim në Nato. Presidenti Jushçenko e ka kritikuar kryeministrin për përqëndrimin e gjithë pushtetit në duart e tij. Prandaj ka vendosur ta shkarkojë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja. Konfrontimi i tanishëm është një prej krizave më të thella në ish - republikën sovjetike, që prej revolucionit të portokalltë, në vitin 2004.

Me qindra ithtarë të kryeministrit Viktor Janukoviç kanë kaluar ditët e pashkëve në tenda në sheshin e pavarësisë në Kiev, duke demonstruar kundër presidentit Jushçenko. Ata shpresojnë se presidenti do të ndryshojë vendimin për zgjedhjet e parakohshme. Mirëpo presidenti ka ritheksuar vendimin për zgjedhje të reja dhe ka kërkuar prej demonstruesve ndërprerjen e protestës. E gjithë kjo ka bërë që lufta për pushtet në Ukrainë të ashpërsohet edhe pas festës së pashkëve.

Pas një debati shumëorësh, deputetët e parlamentit në Kiev kanë pranuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Ukrainë, por vetëm në qoftë se presidenti Jushçenko pranon që njëkohësisht të mbahen edhe zgjedhjet e parakoshme presidenciale. Shumica e deputetëve mendon se ukrainasit duhet të kenë mundësinë e deklarimit në referendum lidhur me anëtarësimin në Nato.

Në zgjedhjet presidenciale, Viktor Jushçenko do të kishte shumë pak shanse për tu rizgjedhur në postin e tanishëm. Prandaj është gati e sigurt se ai do ta refuzojë kërkesën e shumicës parlamentare. Presidenti është i mendimit se vendimet e parlamentit, ku ishin vetëm mbështetësit e kryeministrit Janukoviç, janë të pavlefshme, sepse me anë të një dekreti ai e ka shkarkuar parlamentin më dy prill.
"Vendimet tona janë në frymën e kushtetutës. Jam shumë i bindur se Ukraina është në gjendje t'i mbajë zgjedhjet e reja", theksoi presidenti.

Kryeministri Janukoviç dhe shumica e ministrave thonë se Parlamenti, apo Rada siç quhet në Ukrainë, është legjitim. Ta pavlefshëm ata quajnë vendimin e presidentit për shkarkimin e tij. Lidhur me dekretin e presidentit do të deklarohet me 11 prill edhe gjykata kushtetuese, si organi më i lartë juridik në vend. Kryeministri Janukoviç thotë se do t'i nënshtrohet dekretit vetëm në qoftë se gjykata kushtetuese e vlerëson atë si legjitim. Mirëpo edhe kjo është kontestuese, sepse gjykatësit nuk duan të hyjnë në lojën për pushtetin politik. Ndërkohë është e mundur që në Ukrainë të futet edhe gjendja e jashtëzamonshme sepse të hënën deputetët kanë kërkuar prej kryeministrit që të largojë nga qeveria ministrin e mbrojtjes dhe shefin e shërbimit sekret. Ata të dy janë shumë të afërt me presidentin Jushçenko dhe janë dakord me dekretin e tij.

Parlamenti ka të drejtën e shkarkimit të ministrave, ndërsa presidenti mund ta përdorë veton dhe ta bllokojë vendimin. Që javën e kaluar është folur për dëshirën e presidentit, që të shkarkojë të gjithë qeverinë dhe të marrë tërë pushtetin në duart e veta. Qeveria dhe parlamenti do të shpalleshin jolegjitime, ndërsa gjendja në vend do të kishte shumë elemente të gjendjes së jashtëzakonshme. Për Ukrainën kjo do të ishte shumë e rrezikshme, sepse pritet reagimi agresiv i kryministrit Janukoviç dhe partisë së tij. Tani më është parlajmëruar një grevë e përgjithëshme, e cila do të mund të fillonte në zonat industriale në Donjec.