1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë parti nuk ka arritur t'i bindë zgjedhësit siç duhet

24 Shtator 2009

Zgjedhësit e ndjejnë që është fjala për alternativën kristiandemokrate-kristiansociale me liberalët, ose për koalicionin e madh, komenton sot shtypi i ditës.

https://p.dw.com/p/Jnmr
Postera zgjedhorë
Postera zgjedhorëFotografi: AP

Gazeta "Die Zeit" shkruan:

"Nëse demokracia më e mirë, që ka patur ndonjëherë Gjermania nuk do të pësojë dëmtime, atëherë pas kësaj të diele të zgjedhjeve është e nevojshme që të bëhet një inventar i asaj, që funksionon në rregull në këtë vend. Ne na duhet një qeveri e qëndrueshme dhe një perspektivë që të fitojmë së shpejti edhe alternativa të reja politike përmes koalicioneve të tjera. Dhe sigurisht politika duhet të gjejë një rrugë më direkte për tek qytetarët."

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" vëren:

"Pavarësisht se cili do të jetë rezultati në fund, zhvillimet kanë sidoqoftë një efekt pozitiv. Zgjedhësit e ndjejnë që është fjala për alternativën kristiandemokrate-kristiansociale me liberalët, ose për koalicionin e madh. Edhe ata, të cilëve u duken pak interesante që të dyja variantet, nuk do të kundërshtonin dot që konsekuencat politike nuk do të ishin identike. Asgjë nuk është vendosur. Njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin."

Nga gazeta "Ekspress" e Këlnit shkëpusim:

"Anketimet e fundit të të gjitha instituteve tregojnë se kristiandemokratët-kristiansocialët me liberalët duhet të dridhen. Më shumë se një e treta e zgjedhësve nuk vendos dot akoma, se kë do të zgjedhë. Në cilin drejtim enden zgjedhësit e pavendosur? A janë të gjithë qytetarët tanë të lodhur nga politika dhe zgjedhjet? Politikanët duhet të përqëndroheshin se si t'i bënin zgjedhësit për vete, t'i bindnin ata. Kësaj nuk ia ka arritur asnjë parti siç duhet. Politikanët flasin aq shumë si kurrë më parë dhe nuk thonë asgjë. Fatura do t'u vijë të dielën. Prandaj duhen thënë fjalë më të qarta. Analisti politik Gerd Langguth nga Boni thotë: Ai që bën për vete të pavendosurit, fiton zgjedhjet." (av/dpa/aca)