1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentati ndaj ish-kryeministrit libanez Rafiq al-Hariri

Mahmoud Tawfik15 Shkurt 2005

Disa vëzhgues flasin për atentatin më të rëndë në Liban që prej fundit të luftës civile në vititn 1991. Sipas të dhënave zyrtare, atentati ndaj ish-kryeministrit Rafiq al-Hariri, me siguri politikani më me ndikim i vendit që prej një dekade, shkaktoi nëntë të vrarë. Numri i të plagosurve është mbi 90. Më shumë hollësi për prapavijën e sulmit mund të mësoni në vështrimin e Mahmoud Tawfik.

https://p.dw.com/p/ArQW
Ish-kryeministri i vrarë i Libanit Rafiq al-Hariri
Ish-kryeministri i vrarë i Libanit Rafiq al-HaririFotografi: AP

Lindja e Afërme gjendet në pështjellim. Derisa për shembull moderatorët e stacionit privat libanez LBC përpiqen të lëvizin midis reagimeve, spekulimeve dhe fajësimeve nga më të ndryshmet të politikanëve lokalë dhe rajonalë, kanali televiziv tregon pa ndërprerje pamjet e shkatërrimit: shtëllunga të zeza tymi, mbetje automjetesh dhe fasada të dëmtuara hotelesh të bukura buzë shëtitores në bregdetin e kryeqytetit Bejrut. Korrespondetja në vendin e ngjarjes mbetet përkohësisht pa gojë, sepse një gjë e tillë po ndodh pas një faze të gjatë qetësie relative në Liban, përforcon frikën prej kthimit të luftës civile. Gilber al Ashkar, studiues libanez i shkencave poltike:

"Nuk kam qenë kurrë optimist për sa i takon gjendjes në Liban. Të paktën jo aq sa ata që shpallën lidhjen e paqes dhe hapjen e një faqeje të re. Unë besoj se gjendja politike në Liban nuk mund të ndahet nga gjendja në pjesën tjetër të Lindjes së Afërme, dhe kjo siç dihet lë shumë për të dëshiruar. Për mendimin tim Libani si në të kaluarën do të mbetet një arenë ku zhvillohen konfliktet më të ndryshme rajonale, për të mos folur këtu për konfliktet lokale."

Kryeredaktori i gazetës liberale, libaneze Al Hayat, Abdel Wahed Badrakhan, e sheh vendin e vet të ketë mbërritur në një pikë kthese dramatike. Në një kohë, thotë Badrakhan, kur në shumë vende të botës arabe si në Irak apo në territoret palestineze po konturohet një përmirësim, në këtë kohë Libani është kthyer në pikën zero.

Rëndësia që i japin vëzhguesit libanezë atentatit ndaj al-Hariri-t për të ardhmen e paqes në vend varet kryesisht nga besimi i tyre tek harmonia midis grupimeve të ndryshme fetare dhe kombëtare tradicionalisht të armiqësuara dhe nga ajo që çdo kërcënim për sigurinë kombëtare ua ngarkojnë më shumë "faktorëve të jashtëm": fqinjëve të drejtpërdrejtë, Izraelit dhe Sirisë. Mjaft u fol pak orë pas atentatit për "përzierjen sioniste", për rolin e shërbimit të fshehtë izraelit Mossad, çka për disa njerëz tingëllon si teori përbetimesh. Për shembull deklaratat e Hisbollahut libanez shkonin në këtë drejtim. Për dikë tjetër pa dyshim është Siria i dyshuari kryesor, si edhe për politologun Gilber al-Ashkar.

"Ngadalë po përvijohet një politikë e vrasjeve të qëllimshme, pikërisht e atyre që shprehen kundër pranisë siriane në Liban. Për shembull në rastin e Kamal Jumblatt-it ishte e njëjta gjë. Dhe kjo politikë me siguri që do të vërtetojë se gjendja e sigurisë në Liban mbetet e rrezikshme dhe një tërheqje e trupave siriane, prania e të cilave ka kontribuar gjoja për stabilizimin e vendit, nuk shtrohet për diskutim në këto çaste."

Në fakt presidenti sirian Bashar al-Assad e dënoi menjëherë atentatin në formën më të fuqishme. Por ajo që e përforcon dyshimin e al-Akshar-it është fakti që në muajt e fundit trysnia lokale dhe ndërkombëtare mbi Sirinë për ti tërhequr më në fund 25.000 ushtarët e stacionuar në verilindje të Libanit, është rritur në mënyrë të konsiderueshme.