1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autorët ende nuk janë kapur - 10 vjet pas sulmeve në Kenia dhe Tanzani

Andrea Schmidt 7 Gusht 2008

Si pasojë sulmeve më të rënda terroriste në Afrikë para dhjetë vjetësh gjetën vdekjen mbi 220 vetë në metropolin eTanzanisë Dar es Salam dhe në kryeqytetin e Kenias, Nairobi. Rreth 5.000 njerëz u plagosën.

https://p.dw.com/p/Erq0
Në të dyja vendet bombat shpërthyen thuajse njëkohësisht. Sulmet terroriste, që kishin në shënjestër ambasadat e SHBA, konsiderohen si vepra të rrjetit terorrist të Al Kaidës.
Në të dyja vendet bombat shpërthyen thuajse njëkohësisht. Sulmet terroriste, që kishin në shënjestër ambasadat e SHBA, konsiderohen si vepra të rrjetit terorrist të Al Kaidës.Fotografi: AP

Kur retë gjigande të tymit u ngjitën në qiell mëngjesin e së premtes së 7 gushtit pas sulmeve me bomba, filluan të duken gradualisht përmasat e katastrofës. Në afërsi të ambasadës së SHBA në Nairobi, që u prek më rëndë, mbeten vetëm rrënojat e godinave shumëkatëshe, makina që digjeshin dhe njerëz të mbuluar nga gjaku, e ngjashme është pamja edhe në Dar es Salam.

Deri sot viktimat e terrorit nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim

Inxhinieri kenian, Simon Kimori, që punonte në ambasadën e SHBA, është një ndër viktimat. Për vite të tëra ai mbeti në karrocën e invalidit, ai ka nevojë për një operacion tjetër urgjent, por për këtë i mungojnë paratë: “Kur pas tri ditësh u zgjova nga koma, nuk e njihja më veten. Gruaja më qëndronte pranë. Unë përpiqesha të ngrija kokën, por nuk mundesha. Përpiqesha të lëvizja duart dhe nuk mundesha. M'u desh të pyes gruan, se ku jam."

Kimori është zëdhënësi zyrtar i viktimave të terrorit, të cilat deri më sot nuk kanë marrë asnjë zhdëmtim. Ai thotë, se sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Kenian numri i viktimave gjatë dhjetë viteve të fundit është rritur ndjeshëm. Si arësye ai përmend: “Numri i viktimave arriti në 1. 200, vetëm, sepse nuk kishte medikamente të mjaftueshme në dispozicion."

Pse u vunë në shënjestër të sulmeve dy metropolet afrikano-lindore?

Qeveritë e dy shteteve afrikano-lindore dhe SHBA-të u befasuan shumë prej sulmeve terroriste. Rreziku për sulme në dy vendet mike me SHBA-të ishte klasifikuar si i ulët prej Ministrisë së Jashtme Amerikane. Kjo pavarësisht, se Kenia ka një kufi të gjatë dhe të pakontrolluar mirë me shtetin në krizë Somalinë dhe se Osama bin Ladeni deri në vitin 1996 kishte qenë aktiv në Sudan.

Martin Kimani Mbugua, këshilltar në Institutin për Studimet e Sigurisë në Nairobi vë në dukje arësyet, përse këto dy metropole afrikano-lindore u vunë në shënjestër të sulmeve: "Unë mendoj, se ato kanë zgjedhur objektiva të dobëta, sepse donin që këto objektiva të plagoseshin lehtë. Ishte një mesazh drejtuar SHBA që nuk kish të bënte konkretisht me Afrikën Lindore. Sulmet prekën Kenian dhe Tanzaninë për arësye të sigurisë. Ky nuk ishte një ndëshkim ndaj këtyre vendeve afrikano-lindore, që kanë marrëdhënie të mira me SHBA."

Sipas një studimi aktual afrikano-lindorët konsiderojnë varfërinë në rritje, kriminalitetin, mungesën e garancisë për ushqime dhe korrupsionin si kërcënim shumë më të madh se sa sulmet terroriste.
Varfëria në rritje, kriminaliteti, mungesa e garancisë për ushqime dhe korrupsioni shihen prej afrikano-lindorëve si kërcënim shumë më të madh se terrorizmi.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ekstremizmi fetar më shumë si problem i minoriteteve

Të krishterë dhe myslimanë, kryesisht sunitë të moderuar, jetojnë në këto vende pa konflikte. Në Kenia ka rreth 20% myslimanë, shumica e të cilëve jetojnë në rajonet bregdetare. Në Tanzani gati gjysma e popullsisë është myslimane dhe në ishullin gjysmëautonom të Zanzibarit jetojnë 98% myslimanë. Sipas një studimi aktual afrikano-lindorët konsiderojnë varfërinë në rritje, kriminalitetin, mungesën e garancisë për ushqime dhe korrupsionin si kërcënim shumë më të madh se sa sulmet terroriste. Ekstremizmi fetar duket më shumë si një problem minoritetesh.

Njëri ndër organizatorët e sulmeve me bomba, islamisti nga Komori, Faizul Abdullah Mohammed, këtë javë i shpëtoi për fije arrestimit nga njësitë speciale të Kenias. Aktivisti i Al Kaidës me prejardhje nga Tanzania Ahmed Khalfan Ghailani, që gjithashtu bëhet përgjegjës si një ndër organizatorët e sulmeve është i arrestuar në kampin famëkeq të Guantanamos. Në vitin 2004 ai u arrestua në Pakistan dhe pesë muaj më vonë ai iu ekstradua autoirteteve të SHBA.

Forcat afrikano-lindore të rendit gjatë viteve të fundit janë stërvitur në luftën kundër terrorizmit prej SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Në 10 vjetorin e sulmeve me bombë, ekspertët paralajmërojnë, që Afrika Lindore sërish mund të jetë në shënjestër të sulmeve. Një kërcënim me të cilin duhet të ambjentohen njerëzit në mbarë botën, siç mendon këshilltari i sigurisë Martin Kimani Mbugua: "Ka shumë kërcënime, shumë paralajmërime, dhe rezerva nga më të ndryshmet. Nuk ka asnjë arësye për të mos qenë të kujdesshëm. Eshtë një kërcënim i vazhdueshëm e ti nuk e di, se kur dhe ku mund të ndodhë. Ky kërcënim do të jetë për një kohë shumë të gjatë aktual."