1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet kosovare marrin në duar doganat e Kosovës

Bekim Shehu / Prishtinë 12 Dhjetor 2008

Doganat e Kosovës morrën zyrtarisht kompetencat nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Autoritetet e Prishtinës e cilësuan këtë moment një hap pozitiv për ndërtimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/GEv2
Automjet i UNMIK-ut
Automjet i UNMIK-utFotografi: AP

Shërbimi Doganor i Kosovës do të menaxhohet nga sot, tërësisht nga autoritet kosovare. Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, administrata e Kombeve të Bashkuara i dha fund procesit zyrtar të bartjes së kompetencave Shërbimit Doganor të Kosovës.

Doganat e Kosovës derdhin më së shumti mjete në buxhetin e Kosovës. Bartja e kompetencave të doganave nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, u konsiderua nga zyrtarët institucional një moment shumë i rëndësishëm. Ahmet Shala është ministër i Ekonomisë dhe Financave. "Ceremonia e sotme është edhe një akt i rrugës së Kosovës drejt konsolidimit të shtetit funksional. Kjo dëshmon punën e përbashkët të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë", thotë ministri Shala.

Mirëpo, autoritetet kosovare akoma nuk kanë fuqi ekzekutive në pikat doganore në kufirin verior të Kosovës me Serbinë. Dy pika doganore ajo numër 1 dhe ajo 31, cilësohen me problematiket sepse ndodhen jashtë funksionimit që nga shpallja e pavarësisë, sepse u dogjën nga serbët. Më nëntë dhjetor misioni i ri i BE-së EULEX, vendosi në këto pika disa doganierë, mirëpo jo në kapacitetin e plotë që kërkohet.

Drejtori i Shërbimit Doganor të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se doganierët kosovarë mund të vendosen në këto pika vetëm atëherë kur garatohet siguria e tyre. "Mentalisht doganierët kosovarë nuk janë prezentë në dy pikat doganore në veri të Kosovës. Ky është një fakt i ditur. Se kur do të kthehemi atje, do të varet nga vlerësimi i çështjeve të sigurisë, që do të bëhet nga policia e Kosovës në bashkëpunim me forcat paqerujatëse. Nëse nga ne kërkohet që të kthehemi atje ne jemi të gatshëm qysh nesër," thotë Huruglica.

Sidoqoftë, që nga shpallja e pavarësisë në mungesë të funksonimit të dy pikave doganore me Serbinë, në veri të Kosovës është zhvilluar kontrabandë e madhe më mallra dhe buxheti i Kosovës ka humbur me miliona euro. Kjo sepse Kosova importon një pjesë të madhe mallrash nga Serbia dhe që prej një viti ato nuk zhdoganon nga askush.