1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ban Wulff

4 Shkurt 2011

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun u ftua nga presidenti Christian Wulff, për bisedime politike në kështjellën Bellevue. Sot koreanojugori do të mbajë një fjalim në Universitetin Humboldt të Berlinit.

https://p.dw.com/p/10Aau
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun në konferencën e shtypit në BerlinFotografi: AP

"Do të dërgohet një sinjal i fortë nga Berlini në Kajro," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun gjatë pritjes së tij në kështjellën Bellevue, selinë e presidentit. Thirrja e tij për regjimin e Mubarakut ishte e qartë. Jashtëzakonisht e qartë për një kryediplomat të OKB-së, i cili jemi mësuar të jetë i përmbajtur. "Më lejoni të them fare qartë: Ajo që po ndodh është skandaloze dhe e papranueshme. Duhet t'i jepet fund menjëherë." […] Respekti për lirinë e mendimit dhe për të drejtën e tubimit është një pjesë qendrore e rendit demokratik të vlerave. U bëj edhe një herë thirrje përgjegjësve në Egjipt, të dëgjojnë zërat e popullit dhe të nisin menjëherë ndryshimin."

200 Jahre Humboldt Universität
Universiteti HumboldtFotografi: HU/Heike Zappe

Presidenti gjerman Christian Wulff, i zgjedhur në 2010-ën, premtoi gjatë takimit me përfaqësuesin më të lartë të Kombeve të Bashkuara mbështetjen e tij. Për të gjithë ata, që përballë skenave si në një luftë civile në kryeqytetin egjiptian kanë nevojë më së shumti për të. "Jam i brengosur për paqen e brendshme dhe të jashtme në rajon, për lirinë dhe zhvillimin e lirisë dhe të demokracisë. Sidoqoftë Gjermania do t'u japë çdo ndihmë atyre, që angazhohen atje për zgjedhje të lira dhe për zhvillim paqësor. Kundërshtojmë çdo përpjekje për të krijuar fakte me anë të dhunës."

Wulff dhe Ban Ki Mun pajtoheshin: Egjiptit i duhet një rifillim politik dhe ky duhet të vijë tani. Në këtë kuadër Kombet e Bashkuara duan të luajnë një rol konstruktiv, tha Ban Ki Mun. Se cili do të jetë saktësisht ky rol, këtë ai donte ta bisedonte pas kthimit të vet në Nju-Jork me shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Bundespräsident Christian Wulff Schloss Bellevue Ehrenformation der Bundeswehr
Presidenti gjerman Christian Wulff në Kështjellën BellevueFotografi: dpa

Shndërrimi duhet të shoqërohet nga përpilimi i një kushtetute të re, demokratike të shtetit të së drejtës, tha Wulff. Ky proces demokratizimi duhet të kishte ardhur me kohë, shtoi ai.

Në mbyllje të takimit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së falënderoi Gjermaninë për rolin e saj konstruktiv në reformën e afërt të institucioneve të OKB-së. Ban Ki Mun mban sot në lidhje me këtë një fjalim në Universitetin e respektuar Humboldt të Berlinit. Tema: "Kombet e Bashkuara dhe bota moderne".

Sekretari i Përgjithshëm udhëton nesër për në Mynih. Atje ai është mysafir i Konferencës së 47-të të Sigurisë së Mynihut, një takim i më shumë se 350 politikanëve të rangut të lartë, ndër ta të paktën 12 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 40 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes.

Autor: Richard Fuchs/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama