1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim i përkohshëm apo afatgjatë?

Ani Ruci / Tiranë 4 Shkurt 2008

Maxhoranca dhe opozita në Tirane diskutojnë sot në Parlament vazhdimin e reformës në drejtesi dhe përfundimin e saj ne një kohe rekord, brenda marsit

https://p.dw.com/p/D29m
Javier Solana dhe Sali Berisha, 31 janar 2008
Javier Solana dhe Sali Berisha, 31 janar 2008Fotografi: AP

Përparimi brenda një muaji në reformimn e drejtësisë, proçes i ngrirë për dy vjet rrjesht, po krijon imazhin e ndryshimit për mirë të mentalitetit të klasës politike të Tiranës për të bërit politikë. Ajo që po arrihet nga të njëjtët politikanë, që nuk mundën të gjenin gjuhën e përbashkët për qindra ditë nga viti 2005 në 2007-ën, është sa befasuses aq edhe inkurajuese për energjinë që gjeneron momenti i fundit. Fenomeni nuk ka precedentë në politikën pluraliste të Tiranës në këto 16 vite: kryerja e reformave në drejtësi dhe në sistemin elektoral nënjë kohë rekord prej dy muajsh për të merituar ftesën e anëtarësimit në NATO, në prill.

Pasojë e kësaj energjie është miratimi i paparë për nga shpejtësia i një pjese te konsiderueshme të paketës ligjore për organizimin e një sistem gjyqësor të pavarur nga politika, garantues i shtetit të së drejtës. Parlamenti diskuton sot vazhdimin e reformës në pjesë të tjera të sistemit të drejtësisë. Nëse arrihet konsensus mund të mendohet se kultura e brishtë e bashkëpunimit po merr jetë. Lideri i maxhorancës së djathtë qeverisëse, kryeministri Berisha, e cilëson bashkëpumin dy palësh për kryerjen e kësaj reforme "shprehje të klimes së një bashkëpunimi afatgjatë." Ai mbështet idenë e opozitës për arritjen e një Pakti për Drejtësinë, që të qëndrojë mbi partitë dhe të jetë i detyrueshëm për to, si kur janë në pushtet ashtu edhe kur kalojnë në opozitë. Duke lënë të kuptohet se kohët e vështira të mosmarrëveshjeve dhe frymës konfliktuale tanimë i përkasin së shkuarës Berisha e vlerëson mjaft të ngjashme në thelbin e vet paketën e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë të maxhorancës me atë të opozitës. Ai premton bashkëpunim me opozitën në të gjitha cështjet të cilat "përputhen me programin politik të maxhorancës."

Kultivimi i një kulture të re politike, që krijon besimin e ndërsjelltë ka përbërë një nga sugjerimet kryesore të lidershipit të NATO-s dhe BE gjatë vizitave zyrtare në Shqipëri dhe forumeve ndërkomëtare ku ka marrë pjesë lidershipi politik i Tiranës. Bashkëpunimi për të kryer reformën në drejtësi përbën fillimin, ndofta, të një marrdhënieje konstruktive afatgjatë opozitë – maxhorancë. Gjithsesi fillimi i tij nën presionin e realizimit të angazhimve të marra përballë NATO-s ushqen njëherazi edhe mendimin e një bashkëpunimi në kohë fushate, kësaj here për të përmirësuar imazhin dhe respektuar një sugjerim konseguent të faktorit ndërkombëtar.