1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi Maqedoni Shqipëri me rëndësi për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e ritmeve të procesit të integrimit europian

9 Shkurt 2010

Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshovski, zhvilloi te hënën, 8.02.010, një vizitë zyrtare në Tiranë.

https://p.dw.com/p/Lwhc
Ministri i jashtëm i Maqedonisë Milososki në TiranëFotografi: DW

Nënshkrimi i marrveshjeve të bashkëpunimit mes Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë dhe akademive diplomatike respektive janë rezultati imediat i vullnetit politik të dy vendeve fqinje për të rritur nivelin e marrëdhenieve mes tyre. Synimi i këtyre dy marrëveshjeve është konsultimi per qëndrimet diplomatike të dy vendeve fqinjë për të gjitha çështjet.

Vullnet reciprok për thellimin e marrëdhënieve

Në konferencën e përbashkët për shtyp, që dy Ministrat e Jashtëm, Milloshoski dhe Meta dhanë në përfundim te bisedimeve deklaruan se ekziston vullneti politik reciprok për t'i ngritur marrëdheniet dypalëshe në një nivel më të lartë.

“Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë shumë të mira. Po punojmë për një konsolidim të mëtejshëm dhe për t'i bërë ato në të ardhmen të shkëlqyera.” tha Ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshoski.

Për të arritur këtë synim të përbashkët dy shefat e diplomacisë publikuan fushat ku do të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik: transporti, mbrojtja, arsimi shëndetësia, mjedisi dhe turizmi ku palët kanë rënë dakort për të realizuar projekte të përbashkëta. Si projekt prioritar mbetet ai rajonal i korridorit të tetë

“Kemi konkluduar se është shumë e rëndësishme që Shqipëria, Maqedonia, në bashkëpunim me Bullgarinë dhe Italinë të intensifikojnë të gjitha përpjekjet për të gjallëruar projektet, që kanë të bëjnë me korridorin e tetë.” tha Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta.

Bashkëpunimi ekonomik rrit shanset për rolin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në stabilitetin e rajonit.

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ka një rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit dhe zhvillimet progresive në të ardhmen. Por dy vendet kanë provuar se janë të afta të eksportojnë stabilitet përmes pjesëmarrjes në misione globale si ai i quajtur ISAF në Afganistan” tha Ministri i Jashtëm maqedonas Antonio Milloshovski.

Garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni

Vullneti politik per të intensifikuar marrëdhëniet ka gjetur shprehje edhe në garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe të pakicave maqedonase në Shqipëri . Ministri i jashtëm maqedonas e konsideroi mësimin e gjuhës maqedonase nga fëmijët shqiptarë që në klasën e tyre të parë, krahas gjuhës amtare, një mundësi më shumë për integrimin e tyre në shoqërinë e Maqedonisë.

“ Mësimi i gjuhës maqedonase i shërben konceptit të ndërtimit në Maqedoni të një shoqërie, që ofron mundësi të barabarta për këdo". tha ai.

Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milloshovski, i lindur ne Tetovë, gjeti një mënyrë më shumë për të shprehur objektivat e vizitës së tij në Tiranë, kur nuk përdori anglishten e diplomatit, por deklaroi në gjuhën shqipe: ”Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinje dhe mike, që kanë të njëjtat sfida dhe të njëjtat aspirata.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica