1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian miraton Marrëveshjen e Parisit për Klimën

Max Hofmann
5 Tetor 2016

Parlamenti Evropian e dha bekimin e tij për Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Me këtë marrëveshja mund të hyjë në fuqi në fund të vitit. Pas kësaj nis pjesa e vështirë.

https://p.dw.com/p/2QsCl
Frankreich Straßburg Europaparlament Ban Ki Moon
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J.-F. Badias

Në fund të gjithë parlamentarët u çuan në këmbë, në sallën plenare të Parlamentit Evropian shpërthyen duartrokitjet. Politikanë të të gjitha grupeve parlamentare vlerësuan paraqitjen e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon në Strasburg. Në fund të këtij viti periudha e tij dhjetëvjeçare në post merr fund. Një takim i bukur për të, sepse me ratifikimin përmes Parlamentit, Marrëveshja kalon edhe pengesën e saj të fundit. Vendet nënshkruese tani janë përgjegjëse për më shumë se 55 përqind të gazrave globale të efektit serë. Pra marrëveshja mund të hyjë në fuqi që në nëntor, në konferencën e klimës në Marakesh. Për BE në këtë mënyrë lufta kundër ndryshimit të klimës nis plotësisht.

Por ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit për Klimën është njëra gjë, vënia në jetë e saj është gjë tjetër. "Tani ne duhet të veprojmë dhe t'i vëmë në jetë premtimet", thotë për shembull Manfred Weber, kryetar i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane. Sepse BE, dikur pararendës në luftë kundër ndryshimit të klimës, tani e sheh veten pas. Jo vetëm për ratifikimin rajone dhe shtete të tjera tani janë treguar më të shpejta dhe më dinamike.

Çfarë duhet të ndodhë që evropianët t'i rikthehen sërish rolit të tyre të mëparshëm? Aktivistët dhe politikanët në Strasburg kërkojnë para së gjithash tri pika:

1. Braktisje të qymyrit

Polakët vërtet që i bindën që ta mbështesin marrëveshjen. Por që ata të sakrifikojnë vërtet qymyrin e shenjtë të vendit të tyre, kjo duket e vështirë të zbatohet. Një kompromis tipik evropian me fuqi zbatuese të vogël mund të jetë ai që pason, druhen shumë vetë. Dhe për sa kohë që Gjermania nuk e braktis qymyrin, vende më të varfra si Polonia do ta kenë këtë edhe më të vështirë. Prandaj nga disa aktivistë kjo sfidë "quhet më e madhja që kemi."

2. Më shumë investime në energjitë e ripërtëritshme

Pararendësi i dikurshëm dhe përgatitësi i rrugës Bashkim Evropian ndërkohë sheh Kinën dhe të tjerë, si i shtojnë në mënyrë dramatike investimet e tyre në energjitë e ripërtëritshme. "Kina ka më shumë instalime të reja të sistemeve, India ka ambicje më të mëdha politike dhe SHBA janë më mirë në shumë fusha teknike", shkruan Giles Dickson nga WindEurope. Prandaj nuk mjafton që BE t'u përmbahet vetëm premtimeve të së shkuarës.

3. Një plan koherent

Është e zakonshme që çdo anëtar i Bashkimit Evropian të ketë objektivat vetjake dhe interesat e tij, edhe në luftë kundër ndryshimit të klimës. Ky ishte njëri nga shkaqet, pse Kina dhe madje India e ratifikuan para BE Marrëveshjen për Klimën. Ban Ki Moon e quan këtë "procesin e veçantë vendimmarrës të BE". Për të kontribuar me të vërtetë në kufizimin e ngrohjes së tokës, evropianët duhet të veprojnë të bashkuar për një qëllim, mendon Jens Mattias Clausen nga Greenpeace. Deputeti i Gjelbër i BE, Lambertz bëhet më konkret: "Planet evropiane të investimeve duhet të lidhen me direktiva të qarta, të detyrueshme për përdorimin e energjive të ripërtëritshme". Kjo nuk është e mirë vetëm për klimën, por edhe për pavarësinë nga vende si Rusia dhe Arabia Saudite, për shëndoshjen ekonomike të kontinentit dhe për punësimin në BE.

Të gjithë e kanë të qartë se çfarë sfide e pret në këtë drejtim Bashkimin Evropian. Sekretari i OKB-së në largim, Ban Ki Moon e formulon kështu: "Ju keni shansin që të shkruani histori dhe ta drejtoni botën në një të ardhme më të mirë". Me ratifikimin u bë hapi i parë. Tani BE duhet të sjellë rezultate.