1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe UNESCO duan të thellojnë bashkëpunimin

19 Shkurt 2010

Pjesë e fushave të përbashkëta të punës do të jenë projekte të tjera zhvillimi në Afrikë dhe rindërtimi i ministrisë së arsimit dhe i shkollave në Haiti.

https://p.dw.com/p/M4yP
Shefja e UNESCO-s, bullgarja Irina BokovaFotografi: AP

Të dy bullgaret janë të reja në detyrat e tyre. Irina Bokova është që prej vjeshtës së kaluar drejtore e përgjithshme e UNESCO-s, Kristalina Georgieva është prej pak ditësh zyrtarisht komisionere e BE-së për ndihmën humanitare. Dhe me sa duket të dyja kuptohen me njëra-tjetrën jo vetëm në planin gjuhësor por edhe njerëzor - një bazë e mirë për afrimin e dy organizatave, tha shefja e UNESCO-s të mërkurën në Bruksel:

"Kjo vizitë është shumë e rëndësishme, sepse besoj që UNESCO-ja dhe Bashkimi Evropian mund të bashkëpunojnë më shumë se deri tani. Bashkimi Evropian është dhënësi më i madh i ndihmës për zhvillim. Besoj që meqënëse UNESCO-ja është udhëheqëse në programet e përgjithshme të arsimit dhe në arsimin e grave dhe vajzave, ne do të kemi një bashkëpunim tejet të rëndësishëm dhe të frytshëm."

Për këtë arsye Bokova i shikon thekset e mundshme të bashkëpunimit në temën e shanceve të barabarta të arsimit për gratë dhe vajzat dhe në rrafshin rajonal para së gjithash në Afrikë. Por shefja e UNESCO-s shikon potencial edhe në një fushë, që nuk asociohet detyrimisht me organizatën e kulturës botërore.

"UNESCO-ja është mjaft aktive në fushën e ndryshimit të klimës dhe në ruajtjen e biosferës dhe të biodiversitetit. Besoj se qasja jonë është unike, në kuptimin e lidhjes së diversitetit biologjik me atë kulturor. Besoj se kjo është një agjendë e përbashkët më Bashimin Evropian."

Kristalina Georgieva
Komisionerja e BE-së për bashkëpunimin ndërkombëtar, ndihmën humanitare dhe përgjigjen ndaj krizave, Kristalina GeorgievaFotografi: AP

Si shembull për një qasje të plotë të ndihmës dhe të bashkëpunimit midis UNESCO-s dhe BE-së do të shërbejë puna në Haitin e shkatërruar nga lufta. Komisionerja e BE-së Georgieva tha, se megjithëse BE-ja po përqendrohet fillimisht tek plotësimi i nevojave urgjente të njerëzve, rindërtimi i shkollave dhe i gjithë infrastrukturës arsimore është i rëndësishëm: Arsimi si element kyç për të ardhmen e fëmijëve, por edhe për të stabilizuar fëmijët dhe familjet e tyre.

"Të ndihmosh njerëzit gjatë dhe pas katastrofave natyrore këtu nuk është fjala vetëm për strehimin e tyre, por edhe për dinjitetin e tyre. Në familje janë fëmijët ata që mund të rikthejnë normalitetin. Por edhe shkollat janë një rrugë shumë e natyrshme për t'iu ofruar ushqim fëmijëve, për të garantuar që ata të marrin mësime me rëndësi kritike për jetën e tyre, në mënyrë që jeta e tyre të mos shkatërrohet prej çfarëdo katastrofe. Dhe këtu ka pasur gjithnjë një traditë të ofrimit krah për krah të ndihmës humanitare dhe të asaj për zhvillim."

Komisionerja e re planifikon të udhëtojë për Haiti në fund të shkurtit. Se sa do të konkretizohet nga bashkëpunimi i ngushtë i premtuar me UNESCO-n, kjo mund të shihet shumë shpejt tek ndihma në Haiti.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani