1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE do të luftojë migracionin e paligjshëm

Irmtraud Richardson15 Shkurt 2007

Bashkimi Evropian do të luftojë më me forcë migracionin ilegal. Këtë e miratuan të enjten në Bruksel ministrat e brendshëm të 27 vendeve anëtare.

https://p.dw.com/p/Ar8r
Ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang Shojble
Ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang ShojbleFotografi: AP

Bandat e trafikantëve në të ardhmen nuk do të kenë më mundësi të transportojnë në Evropë mallrat e tyre. Njerëzit. Ministrat e Bashkimit Evropian kanë marrë vendim që sa më shpejt ta rreptësojnë kontrollin ndaj migracionit ilegal, mundësisht qysh në javët e ardhshme. Sepse në fillim të prillit priten flukset e reja të refugjatëve, kryesisht nga Afrika.

Ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang Shojble, theksoi se sa e rëndësishme është që të luftohet kriminaliteti në kuadër të migracionit: "Duam që ta intensifikojmë aq shumë bashkëpunimin e Evropës me shtetet burimore dhe kalimtare, në mënyrë që migracioni ilegal të luftohet me më eficiencë, e që t'ua heqim bazën e biznesit bandave kriminale të trafikantëve dhe krimit të organizuar. Duhet të jemi në gjendje që t'i kthejmë ilegalët sa më shpejt në vendet e tyre, sepse kthimi i shpejtë është një nga faktorët më të rëndësishëm, për të eleminuar bandat e trafikantëve të njerëzve."

27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian me sa duket janë të gatshëm, që të japin kontributin e tyre në luftën kundër migracionit ilegal. Agjencia e mbikqyrjes Frontex do të pajiset më mirë, mes të tjerash me helikopterë, anije të shpejta, për patrullime sistematike.

Në fililm të vitit komisari i BE-së për çështje të brendshme, Franko Frattini, u kishte dërguar nga një letër qeverive të vendeve anëtare: me sukses. "Pas dhjetë ditësh më erdhën 19 përgjigje pozitive," - thotë Frattini.

Edhe Berlini do të japë kontributin e tij për këtë çështje, megjithëse me një defekt të vogël. Anija e shpejtë që do të vihet në dispozicion, është parashikuar vetëm për ujërat veriorë, ndërsa shumica e migrantëve ilegalë vijnë nga rajonet fqinje në jug të BE-së.

Në Bruksel të enjten u theksua edhe njëherë se lufta kundër migracionit ilegal është vetëm njëri nga aspektet e politikës së gjerë migruese të BE-së. Të 27 vendet anëtare duan ta lehtësojnë migracionin legal edhe përmes përmirësimit të arsimimit në vendet burimore, politikës së qëllimshme të vizave dhe projekteve të vazhdueshme të zhvillimit.

Të shqetësuar janë ministrat përgjegjës për rritjen e numrit të refugjatëve nga Iraku. Situata mund të keqësohej, pasi lufta nuk duket se do të përfundojë në një të ardhme të afërt.