BE i premton Irlandës solidaritet
18 Nëntor 2010Gjatë takimit të tyre në Bruksel ministrat e Financave të shteteve të euros nuk morën ndonjë vendim, por i premtuan Irlandës solidaritet. Nëse do të jetë e nevojshme, "ne do të veprojmë me vendosmëri dhe në mënyrë të koordinuar për të siguruar sistemin financiar të eurozonës", thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të 16 shteteve të eurozonës.
Kryetari i eurogrupit, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, u shpreh se pas gatishmërisë nga ana e BE-së i mbetet Irlandës që të paraqesë kërkesë, në rast se ka nevojë për ndihmë. Fondi shpëtimit për euron është 750 milionë euro.
Por në rast se BE-ja e ndihmon Irlandën, ajo duhet të ketë të drejtën që të përfshihet në politikën irlandeze si të kursimeve edhe të ngritjes së taksave. Për momentin Irlanda p.sh. i ka tepër të ulëta taksat për sipërmarrjet.
Interes të veçantë për zgjidhjen e problemeve financiare të Irlandës ka Britania e Madhe. George Osborne, ministër i Thesarit i Britanisë së Madhe tha: "Irlanda është fqinja jonë më e afërt. Dhe është në interesin britanik, që ekonomia irlandeze të jetë e sukseshme dhe që ne të kemi një sistem bankar të qëndrueshëm në Irlandë."
Duket se qeveria në Dublin po heq dorë nga rezistenca e saj kundër ndihmave financiare nga BE-ja. Të enjten (18.11.) do të zhvillohen bisedime me BE-në, FMN-në dhe Bankën Qendrore Evropiane, për menaxhimin e krizës në sektorin bankar të Irlandës.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, kërkoi një bashkëpunim më të mirë të shteteve të euros: "Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të mbajtur të gjallë zonën e euros. Pa zonën e euros, nuk mund të ketë as Bashkim Evropian."
Autor: Frank Hofmann/Pandeli Pani
Redaktoi: Bahri Cani