1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE i sinjalizon Serbisë: Qëndrim konstruktiv për Kosovën dhe perspektivë evropiane

Eberhard Nembach8 Shkurt 2007

Ministri i jashtëm gjerman dhe presidenti i radhës i BE-së, Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) tha të mërkurën në Beograd se shpreson që Serbia të marrë pjesë në negociatat për gjetjen e një kompromisi për statusin e Kosovës

https://p.dw.com/p/ArYr
Frank Valter Shtajnmajer
Frank Valter ShtajnmajerFotografi: AP

Parlamenti i ri i Serbisë nuk është mbledhur ende dhe qeveria e re nuk duket sikur do të krijohet së shpejti. Presidenti i Serbisë, Boris Tadic kërkoi shtyrjen e bisedimeve që do të zhvillohen javën e ardhshme në Vjenë. Vizitorët e lartë treguan mirëkuptim për këtë kërkesë. Ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer tha:

"Serbia qëndron pas zgjedhjeve përpara disa vendimeve historike. Por edhe pse kohët janë shumë të vështira dhe ne kemi respekt ndaj barrës së përgjegjësisë që mban mbi supe udhëheqja serbe, kemi ardhur pikërisht tani që të themi se Evropa ka shpresa tek Serbia. Ne evropianët dëshirojmë që Serbia të marrë vendin që meriton. Serbia e ka vendin në Evropë."

Por Evropa ka kerkesa të qarta ndaj udhëheqjes serbe: Shtajnmajer, Solana dhe komisioneri i BE-së Olli Rehn i bënë thirrje partnerëve të tyre në bisedime që të krijojnë sa më parë një qeveri të re dhe që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Baza e kësaj zgjidhjeje është plani i Marti Ahtisarit, i cili parashikon një lloj pavarësie të kufizuar për Kosovën.

Kryeministri serb, Koshtunica nuk e pranoi sërish këtë propozim. Por ai është i gatshëm që të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në debatime: "Në mënyrë konstruktive - por jo që të heqim dorë nga parimet e mosshkeljes së kufijve të Serbisë, të cilët janë të garantuar në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Eshtë një gabim fatal që të mendojmë se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të ndikojë në shumë vende të tjera. Prandaj kjo çështje është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë por për të gjithë rajonin dhe botën."

Sidoqoftë Serbia është e gatshme t'i rivazhdojë bisedimet për afrimin e saj drejt BE-së, tha Koshtunica. Këto bisedime kanë një vit tashmë që u ndërprenë, sepse Brukseli nuk ishte i bindur se Serbia po përpiqej seriozisht që krimineli i luftës, ish gjenerali Mladic të dorëzohej në Hagë.

Nga ana e tij Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn tha: "Qeveria e re mund të jetë një fillim i ri. Ne duhet ta ndihmojmë Serbinë që të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës, dhe që të ndihmojë që Mladic të kapet e të dërgohet në Hagë. Sapo të shohim veprime konkrete, Serbia do të gëzojë mbështetjen e Komisionit dhe shteteve të tjera të BE-së."