1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE izolon Lukashenkon dhe regjimin e tij

Klaus Scheffer6 Prill 2006

BE-ja ka vendosur të mos ja lejojë hyrjen në vendet anëtare të presidentit Aleksandër Lukanshenko dhe disa politikanëve të tjerë bjellorusë. Shkak për këtë vendim janë parregullsitë e zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend.

https://p.dw.com/p/ArBV
Opozitarë të arrestuar në Minsk, 27 mars 2006
Opozitarë të arrestuar në Minsk, 27 mars 2006Fotografi: AP

Ngjyrat e kuqe dhe të bardha spikatën të mërkurën pasdite debatin që zhvilloi Parlamentin Evropian mbi situatën paszgjedhore në Bjellorusi. Shumë deputetë kishin hedhur supeve, në shenjë solidariteti, shalle me ngjyrat që mban opozita demokratike bjelloruse. Kryetari i opozitës Aleksandër Milinkjeviç, ishte i pranishëm në këtë debat. Sot, të enjten ai do të diskutojë me deputetët e komisionit për çështjet e jashtme dhe të premten do të takohet ne kancelaren gjermane Angela Merkel, në Berlin.

Të hënën e ardhshme, ministrat e jashtëm të BE-së do të vendosin sanksione të reja, ndër të cilat priten ndalime të tjera qarkullimi për Lukashenkon dhe mbështetësit e qeverisë së tij. BE-ja po përpilon një listë me emra, siç shpjegon kryetari i komisionit për çështjet e jashtme, Elmar Brok:

"Eshtë e qartë, se ne kërkojmë që emri i zotit Lukashenko të hyjë në këtë listë. Por këshilli ynë e morri ndërkohë një vendim dhe tani do t´i shtojmë kësaj liste disa emra të tjerë. Qëllimi ynë kryesor është izolimi ndërkombëtar i Lukashenkos dhe regjimit të tij."

Milinkjeviç, kërkon që në këtë listë të hyjnë të paktën 100 persona. Më tej Milinkjeviç i kërkoi Parlamentit Evropian që t´u mundësojë qëndrimin në vendet antare të BE-së, studentëve që u pezulluan nga universitetet bjelloruse, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protestat paszgjedhore.

Të dielën më 9 prill, Lukashenko do të bëjë betimin përpara parlamentit bjellorus. Më pas nuk do të ketë më demontrata masive në vend. Sidoqoftë për datën 26 prill është organizuar një demontratë e madhe në shenjë kujtimi për viktimat që shkaktoi katastrofa e Çernobilit, përpara 20 vitesh. Bjellorusia u prek rëndë nga kjo katastrofë.

Opozita shpreson se Rusia do të tregojë mirëkuptim. Por Kremlini vazhdon ta mbështesë presidentin Lukashenko. Ndërkohë kryetari i opozitës bjelloruse Milinkjeviç, beson se BE-ja mund të kryejë një punë bindëse ndaj Rusisë, sepse siç tha ai, Putini është inteligjent dhe i hapur për diskutime. Fundja, kthimi i Bjellorusisë në një vend të lirë dhe demokratik duhet të ishte në interes të Rusisë dhe të BE-së.

Por, sipas deklaratave më të fundit nga pala ruse, opozita bjelloruse ka ende një rrugë të vështirë përpara. Të mërkurën ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, kritikoi ashpër politikën e BE-së. Gjatë një vizite në Sllovaki, Lavrov tha se BE-ja nuk duhet të izolojë qeveri, të cilat përbëjnë probleme për të.