1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja diskuton mbi fatin e Afganistanit

Nina Werkhäuser29 Janar 2007

Të hënën trio e BE-së diskutoi në Berlin me qeverinë afgane mbi rindërtimin e vendit

https://p.dw.com/p/Ar90
Kabul
KabulFotografi: DPA

Ministri i jashtëm gjerman FrankWalter Steinmeier, komisionerja e BE-së për marrëdhëniet me jashtë Benita Ferrero-Waldner dhe i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Javier Solana përfaqësuan BE-në në këto bisedime. Delegacioni afgan drejtohej nga ministri i jashtëm Rangin Spanta. Ky takim u krye në prag të konferencës së Afganistanit, që do të zhvillohet sot më 30 janar në Berlin.

Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar vitin e kaluar - ky ishte konkluzioni i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim. Por sidoqoftë nuk duhen harruar edhe përparimet që janë shënuar në rindërtimin e vendit, theksoi ministri i jashtëm gjerman Steinmeier: "Ndoshta duhet të flasim më shpesh dhe me zë më të lartë mbi ato që janë arritur në sektorin e edukimit shkollor, furnizimin me ujë të pijshëm dhe shërbimin mjekësor, tema këto që përmenden më rrallë se situata e sigurisë në vend."

Përfaqësuesit e BE-së u përpoqën të mos e përshkruajnë dhe aq katastrofale situatën në Afganistan. Por përveç sektorit të arsimit, shumë qëllime të tjera të bashkësisë ndërkombëtare nuk janë arritur edhe 5 vite pas rrëzimit të Talibanit. Për komisioneren e BE-së Benita Ferrero-Waldner, rindërtimi i sektorit juridik: "Ka ende shumë korrupsion në vend, që duhet luftuar. Kjo mund të ndodhë vetëm në rast se funksionon ministria e drejtësisë dhe gjykatësit, që duhet të bëjnë në të ardhmen atë që për ne është e vetëkuptueshme. Ne do të dërgojmë aty ekspertë dhe do të bashkëpunojmë më tej me ta."


Një miliardë euro ka investuar BE-ja që prej vitit 2001 në rindërtimin e Afganistanit, 600 milionë të tjerë do të vijojnë gjatë 4 viteve të ardhshme. Por problemet qëndrore mbeten të pazgjidhura: Pas biznesit lukrativ me drogën, problem tjetër i madh janë kryengritjet e Talibanit në jug dhe lindje të vendit. Përveç amerikanëve, edhe ushtarët e trupave të sigurisë ISAF, kanë 5 vite që po e kryejnë këtë luftë. Ministri i jashtëm afgan Rangin Spanta: "Afganistani është i gatshëm që të marrë më shumë përgjegjësi në luftën kundër terrorit. Ne kemi nevojë për mbështetje në krijimin e ushtrisë sonë kombëtare dhe policisë."

Sidomos amerikanët kanë vendosur të investojnë shumë para në krijimin e forcave të sigurisë dhe ato ushtarake. Edhe evropianët mendojnë se njerëzit duhet të kenë patjetër një perspektivë ekonomike. Ministri i jashtëm Steinmeier tha se:"Angazhimi i rindërtimit civil nuk duhet vënë në asnjë mënyrë në lojë apo i duhet kundërvënë çështjes së mbrojtjes së sigurisë."

Një bilanc më i saktë mbi sukseset dhe dështimet në procesin e rindërtimit në vend do të bëhët gjatë konferencës ndërkombëtare që do të zhvillohet sot e nesër në Berlin me përfaqësues të qeverisë afgane dhe të OKB-së.