1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja emëron përfaqësuesin e saj për bisedimet e statusit të Kosovës

Viron Gjymshana8 Nëntor 2005

Stefan Lehne, këshilltar i afërt i Havier Solanës, emërohet si përfaqësues i Bashkimit Europian në ekipin ndërkombëtar që do të udhëheqë bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës

https://p.dw.com/p/Aqht
Kofi Anan dhe Havier Solana
Kofi Anan dhe Havier SolanaFotografi: AP

Pas shqyrtimit të një varg problemesh të situatës së brendshme si dhe asaj ndërkombëtare, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian në prani edhe të Havier Solanës, komisionerit, Olli Rehn si dhe kandidatit të OKB-së që do të udhëheqë dialogun për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisarit, nisën dje në ora 15.30 diskutimet rreth situatës së përgjithshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Stefan Lehne në ekipin ndërkombëtar të bisedimeve

Njëri nga vendimet që ata morën ishte edhe emërimi i Stefan Lehn, si përfaqësuesi i Bashkimit Europian në ekipin negociues të statusit të ardhshëm të Kosovës. Së bashku me ish - presidentin finlandez Marti Ahtisari si dhe zëvendësin e tij Albert Rohan, Stefan Lehne, bëhet kështu anëtari i tretë i rëndësishëm i këtij ekipi. Austriaku Lehn ka qënë deri më sot njëri nga këshilltarët e afërt të shefit të diplomacisë europiane, Havier Solanës dhe ai është i njohur selinë e BE-së në Bruksel, si njëri nga specialistët që i ka ndjekur prej vitesh zhvillimet në Ballkan.

Ahtisari fillon punën

Njëkohësisht me shpalljen e këtij emërimi, u bënë të njohura edhe qëllimet e vizitës së Marti Ahtisarit në Bruksel. Sipas burimeve të mirinformuara bëhet e ditur se ish presidenti finlandez i ka njohur ministrat e jashtëm të BE-së me modalitetet dhe pikëpamjet e tij rreth mënyrës së zhvillimit të negociatave për të ardhmen e Kosovës si dhe mbi rolin dhe ndihmën që duhet të losë Bashkimi Europian në këtë proces.

Dhe megjithëse diskutimet rreth situatës së përgjithshme në Ballkan, dhe sidomos përgatitjeve dhe masave që duhet të merren për fillimin si duhet të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës vazhdojnë ende, është bërë e ditur se Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian do t'i japë mbështetje të plotë vendimit të Kofi Ananit për fillimin e procesit politik që do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës.

Po ashtu pritet që shefat e diplomacisë europiane t'i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen me mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive në procesin e përcaktimit të statusit të ardhshëm. Të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin e rëndësishëm serb - duhet të luanë rolin e tyre në këtë proces, - theksojnë ministrat e jashtëm të BE-së.

Statusi i ardhshëm i Kosovës në përputhje me vlerat europiane

Bashkimi Europian nënvizon se se statusi i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë plotësisht në përputhje me vlerat dhe normat europiane si dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara në të cilat bëjnë pjesë liria e lëvizjes, barazia para ligjit e të gjithë qytetarëve të saj pavarësisht nga përbërja etnike, kthimi në shtëpitë e tyre të të gjithë të shpërngulurve si dhe respektimi i diferencave kulturore. Në përcaktimin e statusit duhet të mbahen parasysh po ashtu mbrojtja e trashëgimisë së qëndrave kulturore dhe fetare. Në të njëjtën kohë BE-ja kërkon që Kosova të mos kthehet më në situatën e para vitit 1999. Çdo zgjidhje e njëanshme ose e kryer me anë të dhunës si dhe ndryshimi i përbërjes territoriale të Kosovës do të konsiderohet si e papranueshme - paralajmëron bashkimi Europian.

Ministrat e BE-së shprehen qartë edhe kundër ndarjes së Kosovës, ose bashkimit të saj me një shtet ose pjesë tjetër shteti, siç nënvizojnë se duhet respektuar paprekshmëria dhe stabiliteti i brendshëm i vendeve fqinje. Statusi i ardhshëm i Kosovës duhet të nxisë po ashtu afrimin e Beogradit dhe të Prishtinës me Bashkimin Europian -bëhet e ditur ndër të tjera në Bruksel nga selia ku po mbahet mbledhja e ministrave të jashtëm të BE-së.