1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja në kërkim të një dashi që prin kopenë, Eufori sportive, jo nacionalizëm gjerman

Pandeli Pani16 Qershor 2006

Shtypi i sotëm gjerman i kushton vëmendje takimit të shefave të shteveve dhe të qeverive të BE-së që janë mbledhur në Bruksel për një takim dyditor, ku do të shqyrtojnë hapat e parë për të dalë nga kriza kushtetuese e BE-së, si dhe kampionatit të futbollit 2006 në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArpP
Fotografi: AP

Gazeta "Thüringer Allgemeine Zeitung" (Erfurt) kërkon që francezët dhe holandezët të angazhohen më tepër, sepse procesi i integrimit evropian ka mbetur në vend pas jo-së së referendumeve në këto vende.

"Luksemburgu është i zemëruar. Ku janë zhdukur Parisi dhe Haga, pyet kryeministri Juncker. Me këto fjalë ai shpreh edhe mendimin e 15 vendeve të tjera që e kanë ratifikuar këtë kushtetutë dhe që e ndjenë veten të lënë vetëm në përpjekjet se si do të vazhdohet pas përfundimit negativ të referendumeve në Francë dhe Holandë. Me shqetësim kopeja është mbledhur sërish kurriz më kurriz në Bruksel në kërkim të një dashi që të prijë. Thuhet që Gjermania do të bëjë të mundur gjithçka, sapo Angela Merkel të bëhet në fillim të 2007 presidente e radhës e BE-së."

"Wilhelmshavener Zeitung" trajton rolin e posaçëm të Britanisë së Madhe në radhët e BE-së:

"Sido që të shkojnë diskutimet edhe në të ardhmen nuk mund të ketë një Evropë pa Britaninë e Madhe. Historikisht britanikët janë të lidhur me kontinentin shumë më tepër sesa mund të mendohet shpesh në këtë dhe atë anë të kanalit Pas de Calé. Përveç kësaj britanikët janë ligamenti mes SHBA-ve dhe Evropës në rast se do të ketë diku probleme. Po ashtu Londra merret jashtë Evropës, qoftë në Moskë apo në Teheran, më seriozisht se sa shumica e diplomatëve evropianë që sillen rrotull me bllokun e çeqeve të ndihmave në xhep. Britania e Madhe ka kohë që është grushti i bashkuar me të cilin Evropa mund të kërcënojë."

Kalojmë në temën tjetër, Botërorin 2006. Kjo temë nuk trajtohet në Gjermani vetëm në aspektin futbollistik, por edhe në një aspekt tjetër. Për shumë vjet me radhë në Gjermani valëvitja e flamujve apo këndimi i himnit gjerman konsideroheshin për shkak të historisë jo të largët me nacionalsocializimin si veprime të pakëndëshme, si veprime të skenës së djathtë. Me sa duket Gjermania e ka kapërcyer tashmë këtë stad.

"Leipziger Volkszeitung" shkruan:

"Në rast se sot mijëra vetë thërrasin në euforinë e botërorit "Gjermania, Gjermania", valëvitin flamurë dhe e shohin veten si pjesë të një kombi, nuk kemi të bëjmë me shenja të një hapi djathtas, por me një hap në drejtimin e duhur. Aq më tepër që brohorimat bashkohen me festat e përbashkëta me tifozët e vendeve të tjera. Gjermania ka tradita të pasura kulturore, vazhdon të shënojë suksese të rëndësishme ekonomike dhe aktualisht edhe sportive. Këto me sa duket janë simbole me të cilat mund të identifikohet para së gjithash brezi i ri. Sigurisht që dikush mund të çuditet për këtë, por nuk ka pse ta kritikojë."

"Volksstimme" (Magdeburg) shkruan:

"E gjithë Gjermania është përfshirë në ethet e futbollit. Kudo mbretëron një gëzim që as optimistët më të mëdhej nuk e kishin parashikuar. Qindra-mijëra të rinj gjermanë valëvistin pa asnjë lloj ngërçi flamurin kombëtar. Në vende të tjera ky fenomen është një gje e zakonshme. Pse këtu duhet quajtuar nacionalizëm? Kritikat e sindikatave ndaj himnit kombëtar të krijojnë përshtypjen se brezi i 68-tës ka marrë sërish skeptrin në dorë dhe po ringjall debatet e së kaluarës. Koha për këtë është e papërshtatshme."

Së fundi citojmë nga "Südkurier" (Kostanz):

"Ka kaluar një javë që prej fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit dhe prej tij kanë dalë dy përfundime të rëndësishme: Njëmbëdhjetshja gjermane nuk ka pse të fshihet prej askujt, dhe po ashtu as Gjermania dhe banorët e saj. Ekipi i trainerit Klinsmann ka arritur në çerekfinale përpara ndeshjes me Ekuadorin duke shkaktuar një eufori të vërtetë tek tifozët. Kjo ngjarje nuk festohet vetëm nëpër stadiumet ku luan ekipi gjerman, apo në Berlin ku është vendosur, por gjithkund nëpër Gjermani. Kudo festojnë jo vetëm tifozët, por edhe njerëz që i ka përfshirë shpirti i garave sportive si gjatë lojërave olimpike. Madje as 493 huliganët e arrestuar në Dortmund nuk mund t'i turbullojnë përshtypjet pozitive të javës së parë të botërorit."