1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja në prag të vendimit mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Turqinë

16 Dhjetor 2004

Deri nesër takimi i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian do të vendosë në Bruksel lidhur me çështjen e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Turqinë. Në prag të hapjes së samitit të Brukselit presidenti francez Jacques Chirac është shprehur në favor të fillimit të këtyre bisedimeve dhe ka nënvizuar se Turqia do të duhet të përmbushë kushtet që i vendosen çdo vendi kandidat për anëtarësim. Trajtimi i kërkesës turke për anëtarësim ishte sot edhe temë në parlamentin gjerman. Ky u shpreh në favor të fillimit të bisedimeve për anëtarësim, por opozita votoi kundër.

https://p.dw.com/p/ArFZ
Një pazar në Stamboll
Një pazar në StambollFotografi: AP

Në Bruksel hapet sot në mbrëmje takimi dyditor i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian, i cili ndër të tjera do të vendosë nëse, kur dhe me çfarë kushtesh do të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Pikërisht sot kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, nëpërmjet një artikulli të botuar në gazetën gjermane me tirazh më të madh, Bild, bën thirrje për t'iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së vendit të tij për anëtarësim. "Besoj se do të ishte gabim sikur Bashkimi Evropian ta kufizonte identitetin e vet me krishtërimin. Çfarë do të mendonin atëherë miliona njerëz që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk janë të krishterë?" - shkruan ndër të tjera Erdogan.

Në prag të samitit të Brukselit presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso i bëri thirrje Turqisë që të tregojë gjeste të vullnetit të mirë për të garantuar suksesin e bisedimeve për anëtarësim në BE: "Turqia duhet të fitojë mendjen dhe zemrat e atyre qytetarëve evropianë, të cilët janë të hapur në lidhje me fatin evropian të Turqisë, por ende jo krejtësisht të bindur për këtë." Ai pyeti se çfarë sinjali do të dërgonte Turqia pa i njohur zyrtarisht të gjitha vendet anëtare përpara hyrjes në Bashkimin Evropian. Megjithatë Barroso nuk e bëri njohjen e Qipros nga Turqia parakusht për bisedimet për anëtarësim.

Parlamenti Evropia miratoi dje një rezolutë, e cila ju bën thirrje udhëheqësve evropianë që t'i hapin bisedimet për anëtarësimin me Turqinë. Megjithatë kjo rezolutë nuk ka karakter detyrues. Hapur pro anëtarësimit të Turqisë në BE, por pasi ajo të plotësojë të gjitha kushtet që i vendosen çdo vendi tjetër kandidat, është shprehur edhe presidenti francez Jacques Chirac. Në një intervistë të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin francez ai shtroi pyetjen, se a ka Evropa e veçanërisht Franca interes që Turqia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Sipas Chirac-ut, anëtarësia e pjesshme, nuk përbën mundësi reale.

Kundërshtarët e një hapi të tillë vlerësojnë si pengesë kryesore faktin që megjithëse një vend laik, Turqia ndryshe nga vendet anëtare të BE-së është një shtet mysliman. Një pikë delikate është edhe çështja e njohjes së Qipros, tashmë anëtare e BE-së. Megjithatë përkrahësit dhe kundërshtarët e anëtarësimit të Turqisë në BE gjenden si në krahun e majtë ashtu edhe në atë të djathtë të politikës.

Ndërkaq trajtimi i kërkesës turke për anëtarësim ishte sot edhe temë në parlamentin gjerman. Ky u shpreh në favor të fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Propozimi përkatës i koalicionit qeveritar kuqegjelbër u miratua në një kohë që Bashkimi Kristiandemokrat-Kristiansocial si dhe Partia Liberale votuan kundër. Bashkimi Kristiandemokrat-Kristiansocial përsëriti kërkesën që Turqisë t'i ofrohet një partneritet i privilegjuar.