1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE negocion me Kinën për kuotën e importit të tekstilit

Kerstin Lohse24 Gusht 2005

Ekspertë të Komisionit të Bashkimit Evropian udhëtojnë sot për në Pekin për të gjetur një zgjidhje në mosmarrëveshjet me tregtarët kinez për importin e tekstilit. Komisioni i Bashkimit Evropian dhe qeveria në Pekin duke patur parasysh shtimin drastik të importit të tekstilit ranë dakord për kufizimin e tij. Megjithatë kuotat e reja ndër të tjera të puloverëve dhe fanelave për shkak të kërkesave të mëdha pothuajse janë harxhuar.

https://p.dw.com/p/ArOG
Fotografi: AP

Përballë ankesave në Evropë kinezët me siguri që do të dalin triumfues dhe më të fortë pas qëndrimit të tyre se tregtia e lirë është rruga e duhur. Përfundimisht janë evropianët ata të cilët kontribuan që në dyqanet e veshmbathjes të vërehet mungesë e rrobave për sezonën e vjeshtës dhe dimrit. Shkak është zënka mes Brukselit dhe Pekinit e cila ka bërë ndërkohë që miliona pulovera, fanela dhe pantollone të prodhimit kinez të deponohen në kufijtë me shtetet e Bashkimit Evropian. Ky mall nuk guxon të transportohet për shkak se gjashtë prej dhjetë kuotave të importit të tekstilit të caktuara në qershor në Bruksel janë harxhuar.

Për të zgjidhur këto mosmarrëveshje ekspertët e Komisionit të Bashkimit Evropian duan të flasin në Pekin me tregtarët kinezë. Edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për tregti Mandelson ka paralajmëruar ndërkohë se do të negocioj së shpejti me Kinën për të bërë disa lëshime.

Po të shikohet disa muaj mbrapa, atëherë vërejmë se disa shtete evropiane si Franca, Italia dhe Spanja ishin ato të cilat në pranverë u angazhuan për futjen e kufizimeve të importit për shkak se në gjysëmpjesën e parë të vitit regjistruan një rritje të dukshme të importit nga Kina dhe u frikësuan për industrinë kombëtare të tekstilit. Që prej 1 janarit, kur u hoqën kuotat e tekstilit, firmat kineze shtuan në masë të madhe eksportin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë.

Sipas regjistrimeve të Bashkimit Evropian si pasojë në katër muajt e parë ka patur një shtim prej 187 përqind në importin e fanelave nga Kina. Brukseli ndodhet në dilemë që nga njëra anë të mbroj industrinë evropiane të tekstilit nga vala e importit kinez, nga ana tjetër tregtarëve t'u mundësoj shitjen e rrobave për të cilat aktualisht kërkesat janë mjat të mëdha.

Shoqata federale e tregtisë gjermane të tekstilit me pakicë tërhoqi vërejtjen të martën se kufizimet e Bashkimit Evropian mund të sjellin deri tek falimentimi i ndërrmarrjeve. Sekretari i përgjithshëm i kësaj shoqate, Jürgen Daks kritikoi njëkohësisht prodhuesit e tekstilit në Evropën Juglindore të cilat nuk janë përgatitur me kohë për një situatë të tillë. Ato kanë patur më tepër se 10 vite kohë që të përgatiten për periudhën pas ndryshimit të kuotës por vendet si Spanja dhe Portugalia nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në këtë mes shohin një zgjidhje që një pjesë e kuotës së vitit të ardhshëm të tërhiqet në këtë vit. Kjo do të thoshte për tregtarët me pakicë që qysh tani të fillojnë të përgatiten që vitin e ardhshëm të importojnë më pak nga Kina.