1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE synon unifikimin e politikës ndaj azilkërkuesve

Bernd Riegert22 Shkurt 2006

Ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë debatuar të martën në Bruksel mbi propozimin e Komisionit Evropian për zgjidhjen e çështjeve të azilkërkuesve. Në rend dite ishte shkëmbimi më i mirë i informacioneve lidhur me prejardhjen e azilkërkuesve.

https://p.dw.com/p/ArBz
Parlamenti Evropian
Parlamenti EvropianFotografi: dpa - Bildarchiv

Ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang Shojble i mbetet besnik qëndrimeve, se deri në vitin 2010 duhet të vendoset një procedurë e përbashkët ndaj azilkërkuesve në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Nuk është mirë që Komisioni Evropian të hartojë dhe të prezantojë dokumente të reja. Vendimtar është bashkëpunimi pragmatik i të gjitha vendeve anëtare të BE.

"Ndonjëherë nuk ka nevojë për gjetjen e modeleve të reja të procedurave në nivelin evropian, por kemi nevojë për një bashkëpunim praktik dhe shkëmbimin e informacioneve. Shkëmbimi i informacioneve për preardhjen e azilkërkuesve dhe për vetë azilkërkuesit është shumë i rëndësishëm, sepse e dimë që ekziston edhe një lloj azili i ngjashëm me turzimin", pohon Shojble.

Edhe më tej, në vendet e Bashkimit Evropian ekzistojnë rregulla të ndryshme për azilkërkuesit, varësisht se nga cili vend vijnë. Azilkërkuesve nga Çeçenia për shembull, në Çeki parimisht nuk u njihet e drejta e strehimit politik. Ndërkohë që në Austri 90 përqind prej tyre, fitojnë të drejtën azilit.

Gjatë një viti në vendet e BE paraqiten reth 380.000 përsona që kërkojnë strehim politik. Vetëm një numër i vogël prej tyre e fiton këtë të drejtë. Azilkërkuesit e refuzuar sot mund të kthehen në ndonjë vend tjetër të BE dhe të kërkojnë azil. Procedura nis prej fillimit. Ministri i brendëshëm gjerman Volfgang Shojble, thotë se përveç disa rasteve ekstreme, ai është i një mendimi me kolegët e tij evropian.

"Në shumicën e vendeve kemi një mendim të përbashkët, sa i përket përndjekjeve politike. Shumë herë nuk kemi të bëjmë me një përndjekje të këtillë, por me një gjendje të rëndë ekonomike, e cila njerëzit i shtynë të kërkojnë strehim në ndonjë vend tjetër. Këto janë shkaqe të kuptueshme. Me siguri që shumë prej nesh do të përpiqeshin të bëjnë një gjë të ngjashme", pohon ministri gjerman.

Mirëpo kërkesat e këtilla në Gjermani nuk trajtohen si përndjekje politike, e cila mundëson të drejtën e azilit. Komisioneri i BE për çështjet juridike, Franko Fratini angazhohet që gjendja e rëndë ekonomike, të pranohet më shpesh si shkas për ikje nga një vend dhe strehim në vendin tjetër. Ministrat e brendshëm të BE ende nuk po mund t'i harmonizojnë qëndrimet e tyre drejt përcaktimit të një liste të shkaqeve për dëbimin e azilkërkuesve, pa ndonjë procedurë tepër të gjatë.

Volfgang Shojble angazhohet për përmirësimin e kushteve në vendet prej nga vijnë azilkërkuesit. Politika e azilit në BE është quajtur shpesh si restriktive prej organizatave për të drejtat e njeriut dhe Komesariatit të lartë të OKB. Komisioneri i OKB për refugjatë, Antonio Guteres u shpreh para Parlamentit Evropian, se azilkërkuesit nuk duhet të dërgohen në vendet e treta ose të mbahen në vendlindjet e tyre.
"Duhet të angazhohemi për sigurinë dhe zgjidhjen afatgjate të problemeve në vendet e prejardhjes së azilkërkuesve. Mirëpo edhe BE duhet të marrë përgjegjësinë e vet dhe atyre që kanë nevojë t'u jep azil. Evropa është një kontinent i azilit dhe si e tillë duhet të mbetet", pohon Guteres.

Komisioneri i OKB për refugjatë rikujton se valët më të mëdha të azilkërkuesve shkojnë në vendet në zhvillim dhe jo në Evropë ose në botën e zhvilluar. Ai mendon se duhet të ketë një shpërndarje të drejtë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në kuadër të grindjeve mes botës islame dhe asaj perëndimore për shkak të karikaturave të Muhamedit, ministri gjerman i punëve të brendëshme Volfgang Shojble, tha se migrantët e ardhur legalisht në Evropë, duhet t'i pranojnë kushtet e jetës në këto vende, pra edhe lirinë e shtypit. Ai rikujtoi se qeveria konservatore në Holandë ka vendosur që prej marsit t'i kthejë në vendin e tyre përsonat që refuzojnë ta mësojnë gjuhën holandeze. Njëherit parashikohet që mosha për bashkimin e familjeve të ngrihet në 21 vjet.

"Në qoftë se njeriu nuk e di se ku jeton ose ku shkon, dhe në qoftë se ka një minimum njohurish gjuhësore, atëherë ai përson nuk ka shansa të vërteta për një jetë normale. Vendimi i Holandës është në parim ajo që duam të zbatojmë edhe ne në Gjermani. Prandaj është e vërtetë që mund të mësohet nga shkëmbimi i përvojave me vendet tjera", pohon ministri gjerman.

Në përfundim të takimit është vendosur që me ligj të parashikohet ruajtja për gjashtë muaj e të gjitha bisedave telefonike, në mbarë territorin e BE. Të dhënat të cilat duhet të futen në memorje prej shoqatave telefonike, kanë për synim ndjekjen më të lehtë të terroristëve dhe bandave të organizuara. Përfaqësuesi i Gjermanisë për ruajtjen e të dhënave përsonale, Peter Shar pohon se kjo paraqet një sulm të drejtëpërdrejtë ndaj sferës private. Ndërkohë që kompanitë telefonike i ka quajtur si ndihmës-sherif të autoriteteve policore në BE.