1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi përshëndet idenë për shtyrjen e rezolutës për Kosovën

Bahri Cani8 Qershor 2007

Liderët e G8 nuk u dakorduan për statusin e ardhshëm të Kosovës, por vetë ideja e shtyrjes së zgjidhjes së statusit ka shkaktuar reagime pozitive në Beograd. Në reagimet e para nënvizohet roli i Rusisë në këtë proces.

https://p.dw.com/p/ArUR
Nicolas Sarkozy nuk u kuptua si duhet?!
Nicolas Sarkozy nuk u kuptua si duhet?!Fotografi: picture-alliance/ dpa

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, pohon se Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë kompromis, për statusin e ardhshëm të Kosovës. Kompromisi, sipas tij, nënkupton autonominë e plotë politike dhe ekonomike të Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Tadiq thotë se marrëveshja do të nënkuptonte edhe lidhje funksionale mes serbëve të Kosovës dhe organeve qëndrore të Serbisë, pa marrë parasysh si do të quhej kjo marrëveshje.

Kryetari i parlamentit Oliver Dulliq, tha se Kuvendi i Serbisë duhet të hartojë një strategji serioze për vazhdimin e bisedimeve. Sipas tij, Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet diplomatike që Kosova të mbetet në kuadër të saj, me shpjegimin se kjo është në interesin e kombit dhe shtetit.

Sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovë e Metohi, Dushan Prorokoviq, i partisë së kryeministrit Vojisllav Koshtunica, mendon se shtyrja e votimit në KS është zgjidhje e vetme logjike. Ai i quan të domosdoshme bisedimet e reja me palën shqiptare, për të definuar statusin e Kosovës, në kuadër të Serbisë. "Statusi duhet të sqarohet sa më parë, sepse status quoja e tanishme nuk i përgjigjet askujt", nënvizon Prorokoviq, i cili beson se Rusia dhe Serbia nuk do të bëjnë lëshime sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Radikalët dhe socialistët kanë përshëndetur idenë që edhe për gjashtë muaj të mos miratohet rezoluta për Kosovën. Zharko Obradoviq i Partisë Socialiste tha se kjo është edhe një dëshmi tjetër se sa e rëndësishme është që të kesh raporte të mira me Rusinë. "Për këta gjashtë muaj, Serbia nuk duhet të rrijë duarkryq, por duhet të luftojë që Kosova të mbetet në kuadër të saj", thotë ai.

Ndërsa radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, pohojnë se gjithmonë e kanë pasur të qartë se presidenti rus, Vlladimir Putin, nuk do të lejojë shkeljen e kartës së OKB-së. "U dëshmua se llogaritë e perëndimit, në krye me SHBA, për nxjerrjen e ndonjë rezolute pa pëlqimin e Rusisë, ishin llogari pa hanxhiun", tha Dragan Todoroviq.

Ndryshe nga politikanët, disa analistë janë të mendimit se perëndimi i ka hapur Serbisë derën e fundit, që të ofrojë ndonjë marrëveshje të qëndrueshme me Prishtinën. Koordinatori i Qendrës për rezistencë paqësore, Nenad Gjurgjeviq thekson se presioni kryesor tani do të drejtohen në adresën e Beogradit, i cili duhet të gjejë rrugë për komunikim me Prishtinën. Sa i përket mundësisë së shpërthimit të ndonjë vale të re të dhunës, Gjurgjeviq është i mendimit se dhunë nuk do të ketë, përderisa kosovarët besojnë se Kosova një ditë do të bëhet shtet i pavarur.