1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berisha: Kriza zgjidhet bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KE-së, që përjashton hapjen e kutive të votimit

16 Maj 2010

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Lohan: BE-ja mirëpret çdo zgjidhje bazuar në parimet respektim i kushtetutës dhe transparencë

https://p.dw.com/p/NPIY
Fotografi: DW

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan, tha të shtunën (15.05) gjatë një konference se nuk ka më kohë për të pritur . "BE do të mirëpresë çfarëdolloj marrëveshjeje që do të arrijnë udhëheqësit politikë të Shqipërisë, bazuar në dy parime themelore, respektim të kushtetutës dhe transparencë. Ka ardhur koha që ata të veprojnë në mënyrë vendimtare për një zgjidhje të ngërçit politik." Kryemnistri Berisha deklaroi të shtunën, se i vetmi dokument mbi bazën e të cilit mund të zgjidhet kriza politike është Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila përjashton hapjen e kutive të votimit. Që nga fillimi i grevës, për herë të parë, lideri i Partisë Socialiste Edi Rama publikoi dje formulën e kompromisit, për të cilën PS-ja është e gatshme të ndërpresë grevën e urisë dhe të arrijë një marrëveshje me qeverinë. "Jemi të gatshëm ta zgjidhim sot këtë krizë duke pranuar kompromisin të bazuar plotësisht në të drejtën kushtetuese për të filluar menjëherë hetimin e fletëve të votimit dhe duke pritur që për kutitë ku ndodhen fletët e votimit të ketë një opinion të pavarur nga një instancë e respektuar prej të gjithëve, siç është Komisioni i Veneciës,” tha të shtunën Edi Rama.

Qytetarët jashtë tendave të grevës së urisë në Tiranë

Tirana Hungerstreik
Fotografi: DW

Që prej dy javësh çdo mbrëmje para çadrave të grevistëve organizohet një protestë solidariteti nga qytetarët e Tiranës. Nuk mungojnë edhe ata që janë kundër kësaj greve dhe mendojnë se është koha për bisedime dhe negociata. Në mikrofonin e DW-së ata tregojnë këndvështrimet e tyre të ndryshme.

Nuk kanë të drejtë të bëjnë grevë urie. Kushtetuta nuk lejon te hapen kutitë.”, thotë një burrë.

Unë e mbështes këtë grevë. Populli do që atë votë që hedh në kuti të jetë e tija, të mos ia marrin. Nuk e kuptoj pse nuk i hapin kutitë. Nëse votat nuk janë vjedhur, pse nuk i hap qeveria kutitë?", pyet një grua.

Nuk e shoh si një formë të mirë grevën e urisë për të zgjidhur problemin. Ne shqiptarëve na duhet të ulemi me njëri - tjetrin, të merremi vesh, të mos mbetemi pas botës si kemi mbet deri tash.”, thotë një burrë i ardhur në Tiranë nga Shkodra.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora