1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini vazhdon kursin e dialogut me Moskën

Pandeli Pani15 Gusht 2008

Statusi i marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Rusisë ditohet nga Kremlini, sepse Berlini nuk ka ndonjë ndikim të pavarur politik ndaj Moskës.

https://p.dw.com/p/Ey9l
Presidenti Medvedev dhe kancelarja gjermane Angela Merkel (majtas)
Presidenti Medvedev dhe kancelarja gjermane Angela Merkel (majtas)Fotografi: AP

Shtypi gjerman i kushton vëmendje vizitës së kancelares Merkel në Rusi dhe takimit të saj me presidentin rus Medvedev. Mediat vlerësojnë kurajon e zonjës Merkel që ndërhyrjen e trupave ruse në Gjeorgji e quajti edhe publikisht si një veprim jo në përputhje me rrethanat.

"Kölner Stadt-Anzeiger" shkruan:

Takimi i shkurtër po intensiv mes kancelares Merkel dhe presidentit rus Medvedev solli qartësimin e këndvështrimeve por jo ndonjë afrim. Merkeli i qëndroi besnike linjës së saj dhe nuk ngurroi që ta quante edhe publikisht ndërhyrjen e trupave ruse në Gjeorgji si pjesërisht jo në përputhje me rrethanat. Kjo s'ka të bëjë me bërjen fajtor të Rusisë. Por pas takimit një gjë u bë e qartë: nëse marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë apo jo të veçanta këtë e vendos Kremlini. Berlini nuk ka ndonjë ndikim të pavarur politik ndaj Rusisë.

Kurse "Nürmberger Nachrichten" mendon:

Qeveria gjermane vepron drejt në rast se nuk largohet prej kursit të MPJ Frank-Walter Steinmeier, i cili shumë kohë para fillimit të këtij konflikti kishte mbrojtur kursin e dialogut të thelluar me Moskën. Sikurse edhe pritej Angela Merkel zhvilloi me presidentin rus një bisedë të hapur, pra edhe me qëndrime të kundërta. Por gjëja më e rëndësishme është që ajo ndoqi rrugën e bisedimeve, në një kohë që në Shtëpinë e Bardhë mendohet për vendosjen e gjithë sanksioneve të mundshme ndaj Kremlinit madje deri tek ideja e marrë e një izolimi ndërkombëtar të Rusisë.