1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc i marrëdhënieve gjermano-ruse nën Gerhard Shrëderin

Ingo Manntojfel12 Gusht 2005

Marrëdhëniet e mira dhe të ngushta gjermano-ruse kanë qenë për kancelarin Gerhard Shrëder dhe presidentin rus Vladimir Putin një konstante e politikës së tyre të jashtme, përndryshe me luhatje. Nga kjo kanë përfituar të dy, sic tregojnë sukseset, por një problem bazor ka mbetur - kontradikta midis tendencave autoritare të Putinit dhe reflektimeve të realpolitikës së Shrëderit.Një bilanc jo përfundimtar i marrëdhënieve gjermano-ruse në dritën e "miqësisë së burrave" midis Schrëderit dhe Putinit

https://p.dw.com/p/Aqtj
Putini dhe Shrëderi, Hanover, 20 dhjetor 2004
Putini dhe Shrëderi, Hanover, 20 dhjetor 2004Fotografi: AP

"Miqësi mes burrash" me efekt në medie midis kancelarëve gjermanë dhe të zotërve të shtëpisë në Kremlin kanë rreth 15 vjet që formësojnë marrëdhëniet gjermano-ruse. Kjo vleu në fazën përfundimtare të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik për Helmut Kohl-in dhe Mihail Gorbacovin dhe më fort më vonë mes Kohl-it dhe Boris Jelcinit. Gerhard Shrëderi dhe Vladimir Putini kanë shkuar edhe një hap më larg. "Gerd"-i dhe "Volodja" sic dukej kuptoheshin mirë me njëri-tjetrin edhe nga ana njerëzore, gjë që e tregojne festimet e përbashkëta të Krishtlindjeve dhe të ditëlindjeve.

Ata u përpoqën vec kësaj që t'i afrojnë Gjermaninë dhe Rusinë edhe politikisht me njëra-tjetrën. Në paradën për 60 vjetorin e fundit të luftës, Putini deklaroi:

"Ne e ndërtojmë politikën tonë duke u bazuar në idealet e lirisë dhe demokracisë, në të drejtën e secilit shtet, për të zgjedhur rrugën e tij të zhvillimit. Një shembull ndricues i kësaj politike është pajtimi historik midis Rusisë dhe Gjermanisë. Unë e konsideroj këtë një nga arritjet më me vlerë në Evropën e pasluftës. Ky është një shembull që ia vlen të përhapet në politikën moderne botërore."

Dhe me të vërtetë: me asnjë vend tjetër Rusia nuk ka ushqyer në pesë vitet e fundit një shkëmbim kaq të dendur në rang shtetëror dhe qeveritar si me Gjermaninë: kjo ka dalë në pah në takimet e përsëritura të nivelit të lartë, në konsultimet e rregullta qeveritare osë në dialogun e iniciuar nga Shrëderi dhe Putini të quajtur "dialogu i Petersburg-ut", i cili synon të afrojë me njëra-tjetrën elitat shoqërore të të dyja vendeve, me anë të kontakteve të vazhdueshme dhe diskutimeve.

Edhe nëse politika e jashtme e Putinit ka marrë ndërkohë disa kthesa, partneriteti me Gjermaninë ka gëzuar gjithmonë një vend të përhershëm në diplomacinë e Putinit. Një rol të rëndësishëm ka luajtur në këtë kuadër me siguri edhe preferenca e tij për vendin - mbi bazën e njohurive gjuhësore dhe përjetimeve personale në RDGJ. Por politika e Putinit ndaj Gjermanisë iu përgjigj edhe politikës së Shrëderit ndaj Rusisë. Sepse kancelari gjerman u është shmangur kritikave publike ndaj politikës së brendshme të Putinit. Ja si u shpreh Shrëderi një ditë pas fundit të dramës së përgjakshme të pengjeve të Beslanit:

"Ai, (Putini) e ka bërë gjithnjë të qartë se është për një zgjidhje politike, se është i gatshëm të flasë me secilin, i cili mund të kontribuojë, se kufiri i tij është natyrisht integriteti territorial i vendit të tij, dhe se nga ana tjetër, natyrisht, me terroristë që veprojnë në këtë mënyrë, pra vrasin në mënyrën më brutale fëmijë pa mbrojtje- secili nga ne i ka parë ato pamje dhe ndihet i prekur- se nga ana tjetër me ta nuk është i mundur ndonjë debat për politikën."


Pikërisht kjo formë e butë e "diplomacisë së qetë", e cila e shpreh kritikën vetëm pas dyerve të mbyllura, kontribuoi në raportin e mirë me Moskën. Një pikë kulmore ka qenë këtu deklarata publike e Shrëderit se Putini është "100% demokrat". Me këtë politikë ndaj Rusisë, Shrëderi u bë partneri më i rëndësishëm politik i Putinit në Evropë.

Si shpërblim, qëndrimi i Shrëderit kundër politikës së SHBA ndaj Irakut fitoi peshë vendimtare vetëm me aksin Paris-Berlin-Moske. Vecanërisht pas vitit 2002, partneriteti me Rusinë u bë një element themelor i politikës së jashtme të Shrëderit. Por raporti i mirë gjermano-rus solli favore të tjera: të dyja vendet përfituan nga lulëzimi i shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Dhe një tjetër përfitim për qeverinë gjermane: ministri i financave Eichel qe në gjendje ta përmirësonte buxhetin e tij me taban të shpuar, me anë të pagimit para kohe të borxheve që Rusia i kishte Gjermanisë.

E dobishme për Putinin ishte mbështetja gjermane për ambiciet ruse për anëtarësim në grupin G-8 dhe në OBT. Putini përfitoi edhe nga roli i Gjermanisë si motor i politikës evropiane të Rusisë:

"Midis temave të bisedimeve ishte natyrisht edhe cështja e bashkëveprimit midis Rusisë dhe BE. Gjermania është një forcat shtytëse të integrimit evropian, dhe ne i jemi Gjermanisë shumë mirënjohës që ndjek gjithmonë edhe linjën e bashkëpunimit gjithnjë e më të afërt dhe të thelluar midis BE dhe Rusisë."

Shrëderi mundi të shënonte si sukses të tijin miratimin e Rusisë për protokollin e Kiotos, si edhe ndikimin e tij në krizën e Ukrainës në vitin 2004. Sepse besimi i Putinit tek Shrëderi ia lehtësoi Rusisë pranimin e zhvillimit politik në Ukrainë.

Një problem qendror në marrëdhëniet gjermano-ruse mbeti: për një partneritet të vërtetë mungon një konsensus politik i vlerave, gjë që bëhet e qartë me zhvillimet politike në Rusi. Prej fundit të BS në Rusi nuk janë krijuar as demokraci dhe as shtet juridik. Synimi është modernizimi ekonomik i Rusisë, parimet demokratike injorohen në përditshmërinë politike të Rusisë ose shpërfillen me qëllim, për të zgjeruar pushtetin e Kremlinit. Shrëderi i pranoi këto tendenca autoritare për shkak të llogarive të realpolitikës. Problemin bazë ai nuk qe në gjendje ta zgjidhte, as ai dhe as një pasardhëse eventuale Merkel.