1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc i qendrës për luftimin e kriminalitetit kontrabandues

Peter Stützle18 Korrik 2006

Qeveria gjermane po i përqendron përpjekjet e saj në luftën kundër imigrimit të paligjshëm. Për t'iu kundërpërgjigjur më mirë bandave kontrabanduese shtatë organe federale kanë formuar "Qendrën e përbashkët të analizës dhe strategjisë për migrimin e paligjshëm" në Berlin.

https://p.dw.com/p/Ar03
Pamje nga një aksion i policisë në Hamburg
Pamje nga një aksion i policisë në HamburgFotografi: dpa
Kjo qendër nisi nga puna më 2 maj, pikërisht para kampionatit botëror, dhe u morr me shqyrtimin e shumë kërkesave për viza. Ngritja e qendrës ishte reagimi ndaj defekteve në dhënien e vizave, me të cilat u morr edhe një komision hetimor parlamentar.

Në të ashtuquajturat "Treptowers", ndërtesat e larta në lagjen berlineze Treptow buzë lumit Spree, i ka zyrat e saj qendra e re me shkurtesën "GASIM". Përpara saj mbi lumë ngrihet një skulpturë moderne me tre gjigantë që munden me njëri-tjetrin. Ngjitur janë zyrat e qendrës antiterror GTAZ, e ngritur pas sulmeve të 11 shtatorit për bashkërendim më të mirë të organeve të ndryshme të sigurisë. Tani këto dy qendra luftojnë përkrah njëra-tjetrës me dy probleme të mëdha, që sipas vlerësimit të organeve të sigurisë janë të lidhura ngushtë: terrorizmi dhe migrimi i paligjshëm. Pjesë e veprimtarisë së organizatave kontrabanduese ndërkombëtare nuk është vetëm prostitucioni i detyrueshëm, kontrabanda e drogës dhe e armëve, ato mbështesin edhe terroristët në lëvizjet e tyre përtej kufijve, thotë sekretari i shtetit në ministrinë e brendshme dhe ish-drejtori i shërbimit të fshehtë gjerman August Hanning.

"Vëzhgojmë që këto organizata kontrabanduese janë të organizuara në mënyrë të përsosur. Ato kanë pjesërisht struktura në vendet e prejardhjes, në vendet e tranzitit dhe ndonjëherë kam përshtypjes se janë të organizuara më mirë se organet kombëtare të policisë dhe sigurisë. Në Gjermani po përpiqemi të ngremë një rrjet, i cili ekziston prej kohësh në anën tjetër, atë të organizatave kontrabanduese."

Shërbimi i fshehtë dhe organi për mbrojtjen e kushtetutës, pra shërbimi i fshehtë i brendshëm dhe ai i jashtëm, policia federale, enti federal i kriminalistikës që vë në dispozicion ambientet e veta në Treptow, dogana, endi federal për migrimin në Nyremberg dhe së fundi ministria e jashtme përgjegjëse për lëshimin e vizave - të gjitha këto kjanë përfaqësuesit e tyre pranë GASIM-it. Këto organe, që edhe më parë kanë bashkëpunuar në raste të veçanta, duhet të shkëmbejnë edhe më mirë informacione me GASIM-in. Sekretari i shtetit Hanning:

"Në fund ne shpresojmë edhe që dhënia e vizave të thjeshtohet në të ardhmen, sepse do të mund të marrim më shpejt vendime, do të dallojmë më shpejt nëse është fjala për persona që na krijojnë probleme me ardhjen e tyre apo jo. Kjo do të jetë edhe në të mirë të aplikuesve që duna të vijnë në Gjermani."

Sipas tij, kjo ka funksionuar mjaft mirë në prag të kampionatit botëror. Hanning paralajmëron nga përshtypja se problemi i imigrimit të paligjshëm është zbehur kohët e fundit për Gjermaninë dhe paraqet më shumë problem për vendet e Mesdheut. Kështu organet frtanceze njoftuan se 80 për qind e pasagjerëve në një anije refugjatësh kanë kaluar në ilegalitet në Gjermani. Shifrat në rënie të azilkërkuesve tregojnë, sipas tij, vetëm një pjesë të pamjes:

"Shifrat për kriminalitetin e organizuar dhe organizatat kontrabanduese janë shqetësuese. Shohim që me migrimin e paligjshëm fitohet shumë para. Kam dëgjuar njëherë në Turqi, se me operacionet kontrabandë fitohet më shumë sesa me tregti droge. Kjo tregon edhe përmasat e problemit në rrafsh ndërkombëtar dhe prandaj mendoj se është urgjentisht e nevojshme të ndërmarrim gjithçka kundër këtyre zhvillimeve."

Siç shton drejtori i entit federal të kriminalistikës Jörg Ziercke, në Gjermani dhjetë për qind e kriminalitetit të organizuar e mban kriminaliteti kontrabandues. Organet shpresojnë që me qendrën gasim ta luftojnë atë në mënyrë më efikase.