1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc i takimit të NATO-s në Stamboll

6 Shkurt 2010

Konferenca e NATO-s në Stamboll (4.2. - 5.2.) kishte sërish në qendër të vëmendjes misionin në Afganistan. Por strategjia ka ndryshuar dukshëm.

https://p.dw.com/p/LuQJ
Logo e takimit të NATO-s në Stamboll.
Fotografi: Nato

Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Robert Gates, e shprehu ndryshimin e strategjisë me këto fjalë:

Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates në konferencë shtypi në kuadër të takimit të NATO-s në Stamboll. 5.2.2010
Gates: afganët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë në vend.Fotografi: AP

"Synimi i strategjisë është të ndalojë me shpejtësi avancimin e talibanëve, të mbrojë popullsinë dhe të forcojë përpjekjet për ngritjen e forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që ato të marrin përgjegjësinë për sigurinë në vend përsa kohë rrethanat e lejojnë këtë."

Nevojiten më shumë instruktorë për forcat e sigurisë

Kjo do të thotë megjithatë edhe njëherë, më shumë ushtarë të Aleancës. Por problemi kryesor është për momentin mungesa e instruktorëve. Qeveria gjermane i ka premtuar të dyja. Ajo do të rrisë edhe njëherë numrin e trupave gjermane në Afganistan nëse kjo do të lejohet nga parlamenti. Por para së gjithash Gjermania do të rrisë ndjeshëm numrin e instruktorëve për forcat afgane të sigurisë: ky numër do të pesëfishohet për të arritur në 1.400. Më parë gjermanëve u duhej shpesh të dëgjonin ankesat amerikane se nuk kontribuojnë sa duhet në Afganistan. Sot kjo ka ndryshuar, thotë ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg:

Foto simbolike: ministri gjerman i Mbrojtjes zu Guttenberg, me flamurin e NATO-s dhe atë të Afganistanit në sfond.
Guttenberg: Gjermania do të pesëfishojë numrin e instruktorëve në Afganistan.Fotografi: AP Graphics/DW

"Ministri amerikan i Mbrojtjes nuk ka kërkuar më shumë nga ne por është shprehur shumë, shumë pozitivisht për atë që kemi ofruar. Megjithatë ai përsëriti se nga njëri apo tjetri anëtar i Aleancës pret ende një sinjal më të qartë, pasi aktualisht në radhët e tyre mbizotëron heshtja.“

Jo tërheqje e ndërkombëtarëve por kalim kompetencash tek afganët

Të gjitha përpjekjet kanë si synim final të mundësojnë tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, nuk dëshëron ta dëgjojë fjalën "tërheqje":

Rasmussen dhe Gates gjatë takimit të NATO-s në Stamboll.
Rasmussen: strategjia e re nuk është strategji tërheqjeje.Fotografi: AP

"Kjo nuk është një strategji tërheqjeje, është një strategji për kalimin e kompetencave nëpërmjet së cilës u japim afganëve hap pas hapi përgjegjësinë duke stërvitur ushtarët dhe policët afganë."

Buxheti i NATO-s ka nevojë për më shumë kontribute dhe më pak shpenzime

Një tjetër temë e rëndësishme e konferencës në Stamboll është e lidhur pjesërisht me misionin në Afganistan, pasi ai është shumë i shtrenjtë: në buxhetin e përbashkët të Aleancës mungojnë disa qindra milionë euro. Për këtë arsye nga njëra anë duhet që partnerët të paguajnë më shumë, dhe nga ana tjetër të gjithë zërat e buxhetit do të shqyrtohen për të gjetur mundësi kursimi. Por fjala është edhe për një problem strukturor. Përfaqësues të NATO-s e cilësojnë jotransparent administrimin e buxhetit në Aleancë, kritikojnë mungesën e një kontrolli financiar efektiv. Në kohën e luftës së ftohtë nuk ngriheshin thuajse kurrë pyetje për çmimin e sigurisë. Sot edhe në Aleancën Veriatlantike është e nevojshme të konsiderohet raporti kosto-dobi, gjë që në fusha të tjera prej kohësh është e vetëkuptueshme.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti