1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc lufte? Zgjidhja e konfliktit të pronës në Shqipëri

19 Tetor 2011

Konfliktet e pronësisw kanë shkaktuar shumë viktima në Shqipëri. Shpresëdhënëse aktualisht janë sinjalet që vijnë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë por edhe Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

https://p.dw.com/p/12vNh
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: fotolia/junial enterprises

Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese e Tiranës shpalli si antikushtetues tre nene në ligjin shqiptar për kthimin e pronave. Shfuqizimi i tre neneve i heq të drejtën Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një strukturë kjo e administratës shtetërore, të shpallë të pavlefshme vendimet ndër vite të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Agim Toro, kryetar i Shoqatës “Pronësi me drejtësi”, shoqatë që paditi ligjin në Gjykatën Kushtetuese e konsideron një zhvillim shumë pozitiv vendimin e sapomarrë të kësaj Gjykate. “Me shpalljen antikushtetuese të tre neneve Gjykata Kushtetuese i mbyll administratës shtetërore të gjitha hapësirat për ndërhyrë në të drejtat civile të qytetarëve, të cilat tanimë janë fituar dhe konsoliduar me vendimet e Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke filluar që nga viti 1992 dhe në vazhdim." Sipas ekspertit Toro, vendimet e këtyre komisioneve Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut i njeh tashmë si vendime gjyqësore.

Nenet e saposhpallura antikushtetuese kishin për qëllim t'u hiqnin mundësinë qytetarëve për t' iu drejtuar Strasburgut, thotë ai. “Nëse një qytetar ankohej në Gjykatën e Strasburgut atëhere administrata shtetërore, pra Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kishte të drejtë të anullonte vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave dhe në këtë rast Gjykata e Strasburgut nuk kishtë më se çfarë të gjykonte pasi nuk ekzistonte vendimi” shpjegon Z. Toro.

Agim Toro, shoqata “Pronësi me drejtësi”
Agim Toro, shoqata “Pronësi me drejtësi”Fotografi: DW

Gjykata e Strasburgut - 530 ankimime për t'u shqyrtuar për çështje prone

Nuk janë të pakta rastet, kur Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg u ka dhënë të drejtë pronarëve që kanë trokitur në dyert e saj. Kjo gjykatë mbetet shansi i fundit për pronarët kur strukturat vendase dështojnë njëra pas tjetrës për t'u kthyer atyre pronën legjitime. Agim Toro konfirmon se në Gjykatën e Strasburgut ka sot 530 ankimime të pranuara për të hapur procese gjyqësore. "Vetëm gjatë vitit 2010 janë dhënë 26 vendime në favor të pronarëve, që për fat të keq nuk shihen, si një uragan do të thoja, për qeverinë shqiptare. Ndërkohë që Strasburgu ka orientuar që çështja e pronave duhet të zgjidhet në Shqipëri dhe qeveritë e Tiranës duhet të respektojnë Konventën Europiane të Lirive dhe të Drejtave themelore të njeriut. Në rast të kundërt, ka paralajmëruar Strasburgu, qeveria e Tiranës do të ndëshkohet.” thotë Toro.

Gjykata e Strasburgut ka kaluar nga paralajmërimet në veprime konkrete. Ndëshkimi më i freskët i Strasburgut është ai prej 3, 2 milion eurosh, që kjo Gjykatë i ka vënë qeverisë aktuale të Tiranës për moszbatimin e vendimit që ajo mori per kompensimin e pronareve legjitime, të një familjeje, të quajtur Delvina. Ky ndëshkim vjen si një sinjal i fortë për qeverinë e Tiranës, që ajo të mos e zvarrisë pa fund gjetjen e nje formule për të zgjidhur drejt çështjen e kthimit të pronës tek pronari i ligjshëm dhe kompensimin e tij, kur kjo nuk është e mundur. Kjo jo vetëm për të zbatuar në praktikë Konventën e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, ku Shqipëria është palë, por edhe për të hequr pronën si shkak për vrasjet e shumta qe po ndodhin ne Shqiperi.

Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg
Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në StrasburgFotografi: AP

Çështja e pazgjidhur e pronave - shkak për mbi 8 mijë vrasje në 20 vjet

“Shifrat zyrtare për konfliktet në Shqipëri për pronën dhe tokën janë 4 979 raste në fshatra dhe 3 163 raste në qytete, pra e kalojnë numrin 8 mijë të vrarë. Ky është një bilanc lufte, më shumë se një i vrarë në ditë në 20 vitet e fundit. Nëse nuk zgjidhet problemi i pronës, konfliktet dhe vrasjet do të vazhdojnë, pa zgjidhur problemin e pronës nuk mund të themi që Shqipëria është një vend demokratik” thotë Agim Toro.

Shkakun për konfliktet sociale dhe të vrarët, Z. Toro e gjen tek korrupsioni, tek dhënia e tokës së pronarëve të ligjshëm personave të tjerë në bazë dokumentash të fallsifikuara. Por ai ka besim se ka trokitur fillimi i fundit të moszgjidhjes së çështjes së pronarëve të ligjshëm. “Çështja e pronës do të zgjidhet se s'bën. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet vendi ku ligjin nuk e bën shteti por arma.”thotë z. Toro.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi