1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bildt: "Nuk duhen nënvleftësuar sfidat në Kosovë!"

Anila Shuka1 Shkurt 2008

Intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me ministrin e jashtëm të Suedisë, Karl Bildt

https://p.dw.com/p/D1Ca
Carl BildtFotografi: AP

DW: Zoti Bildt, Qipro është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës, presidenti rumun po ashtu, Spanja ka vazhdimisht rezerva. A nuk rrezikon të përçahet Bashkimi Evropian për shkak të çështjes së Kosovës?

Bildt: "Duhet ta kuptojmë që jemi në një situatë të vështirë. Në se do të kishte pasur një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës ose një vendim të Këshillit të Sigurimit, gjithçka do të ishte më e lehtë për të drejtën ndërkombëtare dhe politikën. Situata është komplikuar në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar që status-quoja nuk mund të mbahet më. Ne tani duhet të gjejmë një mënyrë për të manovruar ndërmjet këtyre dy problemeve. Pikërisht këtë po bëjmë tani: Po përpiqemi të arrijmë një konsensus sa më të gjerë brenda BE-së dhe jam plot shpresë që ne do të kemi sukses. Por nuk duhet të nënvleftësojmë sfidat që kemi përpara. Të dyja: atë afatgjate të ndërtimit të shtetit, dhe atë afatshkurtër që ka të bëjë me aspektin ligjor."


DW: A do të jetë Suedia në raundin e parë të shteteve që do të njohin Kosovën?


Bildt: "Nuk më pëlqejnë diskutimet për raunde. Ka vetëm një raund. Ka njerëz që janë të interesuar ta përçajnë BE-në, unë jo. Sepse kjo do të na sillte shumë disavantazhe për sfidat e së ardhmes. Ne po diskutojmë fillimisht për mënyrën e njohjes. Sepse do të jetë një situatë, kur rezoluta 1244 do të vazhdojë të jetë e vlefshme. Kështu që nuk është shumë e lehtë.Por sigurisht që ne jemi duke koordinuar gjithçka me të gjithë antarët e tjerë të Bashkimit Evropian. "


DW: A është e garantuar baza juridike për dërgimin e misionit të BE-së në Kosovë?


Bildt: Ka disa mënyra për ta parë këtë çështje. Ekziston rezoluta 1244, e cila në një farë mënyre shërben si një bazë legale për praninë ndërkombëtare në Kosovë. Por sigurisht që ne duhet të bashkëpunojmë edhe me organet zyrtare të Kosovës.


DW: Si mund t'i ndihmohet Kosovës për rimëkëmbjen e saj?


Bildt: Ka shumë mënyra. Si fillim, Kosova do të jetë e varur nga ndihma jonë dhe ajo për të cilën kanë nevojë ata janë investimet, tregëtia, vendet e punës dhe perspektiva e së ardhmes. Kjo nuk do të jetë e mundur në se nuk do të funksionojë integrimi rajonal, hapja e kufijve, kooperimi i drejtpërdrejtë mes vendeve, nacioneve dhe kulturave. Kjo do të jetë sfida jonë mbas një muaji, që të parandalojmë kthimin pas të strukturave të integrimit dhe bashkëpunimit rajonal. Një gjë e tillë do të kishte pasoja negative shumë domethënëse për situatën ekonomike dhe sociale. Qoftë kjo në Kosovë, në Serbi, qoftë edhe në pjesët e tjera të rajonit. Mua më shqetësojnë më shumë problemet e "ditës më pas". Krijimi i një shteti funksional në Kosovë dhe që ofron një të ardhme më të mirë për banorët e tij, si edhe për të gjithë rajonin, jo vetëm në Serbi.


DW: Mendoni se do të ketë nevojë për një konferencë donatorësh për rindërtimin e Kosovës?


Bildt: Po, kjo do të jetë e nevojshme, por ne duhet të dëshmojmë që nuk jemi të shqetësuar vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Duam të bëjmë diçka për ta ndihmuar gjithë këtë rajon me integrimin e tij. Dhe e vetmja gjë që mund të zgjidhë problemet sociale dhe ekonomike është integrimi evropian.