1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140711 Sara Wickström

15 Korrik 2011

Kur njerëzit plaken, lëkura bëhet me rrudha. Edhe kanceri i lëkurës shfaqet më shpesh në pleqëri. Por përse është kështu? Një mjeke finlandeze përpiqet ta gjejë arsyen.

https://p.dw.com/p/11wAT
Instituti Max Planck për Biologjinë e Plakjes
Instituti Max Planck për Biologjinë e PlakjesFotografi: DW

Mjekja finlandeze Sara Wickstrëm nuk punon për ndonjë koncern kozmetike. Wickstrëm drejton një grup kërkuesish të rinj në Institutin Max Planck për Biologjinë e Plakjes në Këln: "Ne përpiqemi të kuptojmë, se si formohet dhe ruhet struktura e lëkurës. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shumica e sëmundjeve të lëkurës lidhen me prishjen e kësaj strukture të lëkurës. Është e qartë që struktura shërben si mekanizëm mbrojtës kundër sëmundjeve, si për shembull kancerit. Ne po përpiqemi të kuptojmë, se si formohet struktura dhe ç'ndodh me të gjatë plakjes. Në pleqëri rreziku i kancerit të lëkurës rritet, edhe plagët shërohen më me vështirësi."

Si reagojnë qelizat në pleqëri ndaj humbjes së elasticitetit?

Së bashku me ekipin e vet Sara Wickstrëm përpiqet të kuptojë, se si qelizat formojnë me proteina një rrjet përreth vetes dhe përse ato fillojnë të formojnë inde. Dhe se ç'ndodh, kur diçka vete keq, ose se si reagojnë qelizat në pleqëri ndaj humbjes së elasticitetit.

Burrë i moshuar me rrudha
Burrë i moshuar me rrudhaFotografi: Bilderbox

Dikujt, që nuk di asgjë për qelizat, me gjasa kjo nuk i duket veçanërisht interesante. Por, shumica e njerëzve mund të injorojnë faktin, se për të prodhuar barna, ose për të trajtuar sëmundjet është absolutisht e nevojshme të kuptohen proceset bazë. Nëse do të kuptosh se si funksionojnë sëmundjet e lëkurës, duhet të kuptosh se si rregullohen qelizat e lëkurës."

Rrjeti i proteinave përreth qelizës luan një rol të rëndësishëm

Kolegë kërkues të Wickstrëmit kanë zbuluar se rrjeti i proteinave përreth qelizës luan një rol të rëndësishëm. Për shembull, gjithë ambienti i qelizës mund të sigurojë, që tumoret të mos rriten. Një aspekt ky, te i cili përqendrohen kërkimet e mjekes finlandeze në Këln. Por, deri tani firmat farmaceutike nuk po tregojnë interesim për këtë.

Sara nuk do të bëhet eksperte e lëkurës, por dëshiron të qëndrojë në fushën e kërkimeve (megjithëse me kualifikimin si mjeke mund të fitonte dyfishin e asaj, që fiton tani, dhe megjithëse kërkesat ndaj shkencëtarë, që duan të arrijnë diçka, janë të larta).

Nga laboratori i Institutit Max Planck për Biologjinë e Plakjes
Nga laboratori i Institutit Max Planck për biologjinë e PlakjesFotografi: DW

"Sigurisht që dua të jem sa më e suksesshme. Sepse si shkencëtare të masin gjithnjë në bazë të suksesit dhe ky përcakton se ç'mundësi i krijohen dikujt. Unë nuk mund të thoja: jam e kënaqur me atë, që kam arritur. Si shkencëtar duhet vazhdimisht të shkosh më tej. Duhet vazhdimisht të zhvillohesh."

Për të përballuar më mirë sëmundjet e pleqërisë

Synimi i saj është, të arrijë një trajtim më të mirë të sëmundjeve, që kanë të bëjnë me plakjen. Por, në mundësinë që shkenca të arrijë një jetë pa sëmundje, pa shqetësime përgjithmonë, këtë Sara Wickstrëm nuk e beson.

"Ne mund të arrijmë të trajtojmë shumë sëmundje dhe t'i trajtojmë ato gjithnjë më mirë, por sigurisht që në fund duhet të vdesim dhe prej diçkaje do të vdesim."

Autor: Marlis Schaum/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica