1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blair, Howard, Kennedy: Kandidatët kryesorë në zgjedhjet e 5 majit në Britani

Grahame Lucas3 Maj 2005

Pas kritikës masive ndaj politikës së tij për Irakun dy vitet e fundit kryeministri britanik ndërkohë 52-vjeçar Tony Blair duket i mplakur. Pas një qëndrimi në spital për çrregullim të rrahjeve të zemrës vitin e kaluar sipas vetë Blair-it fushata e tanishme zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 5 majit do të jetë e fundit për të. E megjithatë energjia që investon Blair-i në fushatën zgjedhore është e konsiderueshme. Me karizmën dhe retorikën e tij ai vazhdon t'i lërë pas kundërshtarët e vet. Për Blair-in bëhet fjalë për fitimin e periudhës së tretë legjislative si kryeministër, e paarritur kjo më parë nga ndonjë kryeministër laburist. Grahame Lucas paraqet tre kandidatët kryesorë britanik

https://p.dw.com/p/ArEa
Kryeministri Tony Blair përpara selisë së tij qeveritare në Downing Street Nr. 10 në Londër
Kryeministri Tony Blair përpara selisë së tij qeveritare në Downing Street Nr. 10 në LondërFotografi: dpa

� të këtyre zgjedhjeve.

Toni Blair e vendos politikën e brendshme në qendër të fushatës së tij zgjedhore. Irakun ai përpiqet ta shmangë si temë. Pandërprerë Blair-i propagandon modelin e tij të reformës nën slloganin New Labour: një shoqëri meritokracie për të vullnetshmit, pavarësisht nga prejardhja shoqërore, si dhe një rrjet social për nevojtarët.

Në këtë fushë Blair-i ka ç'të tregojë, suksese të konsiderueshme që nga 1997. Dhe me futjen e zgjedhjeve parlamentare në Skoci dhe Uells dhe heqjen e të drejtës së vendit dhe votës për fisnikërinë e trashëgueshme në dhomën e lartë të parlamentit ai e ka modernizuar demokracinë në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ai ka merita sa i takon paqes në Irlandën e Veriut. Në politikën ndaj Evropës ai i dha fund izolimit të viteve të kryeministrave Thatcher e Major, por pa mundur të entuziazmojë për monedhën euro apo kushtetutën evropiane bashkëatdhetarët e vet euroskeptikë.

Por sukseset ekonomike i lënë pas të gjitha temat e tjera. Rritja e qëndrueshme ekonomike i solli Blair-it më shumë të ardhura nga taksat, të cilat iu deshën për të modernizuar shtetin e mirëqenies. Madje papunësia është aq e ulët saqë është dashur të tërhiqet fuqi punëtore nga jashtë vendit.

Megjithatë një katastrofë po përjeton Blair-i me vendimin e tij për luftën në Irak. Rreziku prej armëve irakiane të shkatërerimit në masë doli i pabazë dhe bashkë me këtë edhe besueshmëria e Blair-it; por për Blair-in sulmi ndaj konservatorëve dhe liberaldemokratëve në opozitë gjithnjë ka qenë mbrojtja më e mirë, e në këtë mënyrë paraqitet Blair-i edhe në fushatën zgjedhore.

"Në këtë fushatë ka vetëm një parti që propozon një program serioz qeverisjeje. Dhe arsyeja përse ata nuk pushojnë së foluri për mua apo për Irakun është se nuk kanë se ç'ofrojnë për ekonominë, për shërbimin shëndetsor, arsimin, luftën kundër kriminalitetit apo për të ardhmen e këtij vendi."

Vetëm një gjëje duhet t'i trembet Blair-i: një pjesëmarrjeje shumë të ulët në zgjedhje. Pikërisht këtu i var shpresat kreu i konservatorëve, Michael Howard. Sulmet e tij kundër integritetit personal të Blair-it kanë për qëllim që nga njëra anë të përforcojnë ngopjen me politikë të përhapur pas luftës së Irakut mes zgjedhësve laburistë apo atyre që i ndryshojnë shpesh preferencat; dhe nga ana tjetër të mobilizojnë zgjedhësit e tij. Me parrulla populiste kundër politikës gjoja tepër lëshuese të imigrimit apo të azilit si dhe me kërkesa ngacmuese për lehtësime tatimore avokati 63-vjeçar synon të fitojë pikë në radhët e zgjedhësve.

"Nuk bëhet fjalë këtu për të folur, por për të vepruar. Nuk është fjala për të bërë premtime, por për realizime; pra edhe për të punuar me efikasitet dhe për të ulur taksat."

Megjithatë Howard-it iu desh të pranonte gjatë fushatës se propozimet e tij për uljen e taksave mund të financohen vetëm pas pesë vjetësh; një goditje e rëndë kjo për mundësitë e tij për të fituar. Edhe mosha e tij relativisht e madhe nuk e bën të duket si njeri i së ardhmes. Përveç kësaj ai po humbet pikë edhe prej së kaluarës së tij si zëdhënës i krahut të djathtë në parti, si përfaqësues i vijës së ashpër dhe euroskeptik.

Dyshime ka edhe për atë se a është njeriu i duhur për kryeministër. Pasi një politikae drejtuese e partisë së tij paralajmëroi për anën e errët të karakterit të tij ai po tallet nga mediet si "konti Dracula me kabinetin e tmerrshëm qeveritar", të cilët mezi presin ta heqin shtetin e mirëqenies. Sipas sondazheve atij zgjedhësit britanikë i besojnë më pak sesa Blair-it.

Sfiduesi i dytë, Charles Kennedy, është njëkohësisht më i riu. Skocezi 45-vjeçar e udhëheq partinë e vogël opozitare, liberaldemokrate që nga 1999. Ai konsiderohet si politikan me humor, që nuk i kursen shpenzimet, sidomos kur ato burojnë nga taksapaguesit. Ai do të fusë shërbime përkujdesjeje pa kontribut për pensionistët dhe të shpenzojë më shumë sesa laburistët në shëndetësi dhe arsim. Për ta financuar këtë ai kërkon rritjen e taksave për njerëzit që fitojnë më shumë. Dhe kjo është edhe thembra e tij e Akilit, sepse në opinionin britanik ka dyshime serioze për financimin e planeve të tij.