1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bombë në xhami në Shiraz

Mihael Jansen 14 Prill 2008

Nga shpërthimi i një bombe në një xhami në jug të Iranit, u vranë të paktën 11 vetë. Autoritetet iraniane thonë se bëhet fjalë për një aksident, por për këtë version ka dyshime.

https://p.dw.com/p/DhLf
Iranianët të mbledhur në vendin e shpërthimit të bombës, Shiraz
Iranianët të mbledhur në vendin e shpërthimit të bombës, ShirazFotografi: AP

Shpërthimi ndodhi të shtunën në mbrëmje rreth orës 21 në një xhami në qendër të Shirazit, një qyteti me miliona banorë në jug të Iranit. Forca e shpërthimit ishte kaq e madhe, bëri të ditur një reporter i agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, sa në shumë shtëpi rreth e rrotull u thyen xhamat. Atentati u drejtua kundër një qendre fetare dhe kulturore që ndodhej në xhami, deklaroi të shtunën në mbrëmje zëvendësguvernatori i provincës.

Ndërkohë, autoritetet me sa duket po bëjnë përpjekje ta paraqesin si aksident atentatin. Në xhami kishte pasur pak kohë më parë një ekspozitë ushtarake, tha një oficer policie në vendin e ngjarjes. Ka mundësi që municioni i ekspozuar aty të mos jetë transportuar i gjithi sërish në një vend tjetër. Ekspozita të tilla ka herë pas here në qendrat fetare të Iranit. Në to kremtohen aktet heroike të ushtarëve iranianë në luftë kundër Irakut në vitet '80. Por vëzhgues të pavarur e konsiderojnë me pak gjasa teorinë e aksidentit, sepse në ekspozita të tilla zakonisht nuk prezantohet municion luftarak.

Në faqe të internetit, të administruara nga iranianë opozitarë në botën e jashtme, spekullohet për një sfond tjetër për atentatin me bomba. Ky akt mund të jetë një gjest hakmarrjeje për ekzekutimin e dy përfaqësuesve fetarë sunitë të mërkurën e shkuar në Sahedan, në juglindje të Iranit. Ata u dënuan me vdekje për armëmbajtje pa leje dhe për themelimin e një ushtrie ilegale. Në arrestimin e tyre para shumë muajsh u zhvillua një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë ndër të tjera edhe shumë policë.

Sunitët përfaqësojnë vetëm rreth 5% të popullsisë së Iranit. Ata jetojnë në juglindje, në kufi me Pakistanin dhe Afganistanin, në zonat kurde në veriperëndim në kufi me Iranin dhe me Turqinë. Udhëheqja iraniane dyshon se sunitët ushqejnë kontakte me qarqe anti-iraniane para së gjithash në Arabinë Saudite. Në ushtrimin e fesë së tyre, sunitët përgjithësisht nuk pengohen nga shumica shiite dhe autoritetet, por aktivitetet e tyre politike përndiqen me ashpërsinë më të madhe. Për këtë sfond të atentatit flet edhe koha kur u krye atentati në Shiraz. Ai u zhvillua gjatë predikimit të një përfaqësusi fetar shiit, i cili konsiderohet kundërshtar i ashpër i sunitëve.