1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bonusi i Punës" - socialdemokratët me një model të ri page

Monika Dittrich, Bremen6 Janar 2007

Partia socialdemokrate gjermane do të çlirojë njerzit me të ardhura të ulëta nga detyrimet sociale. Në konferencën e krerëve të partisë në Bremen u fol për kursin që do të ndjekin socialdemokratët në muajt e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/Aqy6

Nuk është rastësi, që kreu partiak mblidhet këtë radhë në Bremen. Në qytetin port në brigjet e Detit të Veriut në maj zhvillohen zgjedhjet. Kryetari i Partisë, Kurt Beck, i jep kështu edhe pak mbështetje kryebashkiakut socialdemokrat. Por shkaku kryesor i takimit është përcaktimi i politikës së muajve të ardhshëm, në mënyrë që të afrohet më shumë krahu i majtë i partisë, i humbur edhe për shkak të koalicionit aktual me unionistët. Prandaj edhe në deklaratën e miratuar në Bremen mbrohet me forcë ideja e një tregu pune më social, në të cilin ka vend edhe për persona më pak të kualifikuar dhe me probleme shëndetësore.

Të papunëve afatgjatë partia socialdemokrate synon t'u ndihmojë me një model të ri të pagës së kombinuar: "Bonusi i punës" quhet ky model. "Bëhet fjala për një bonus tatimor, me anë të të cilit duhet të arrihet, që puna të jetë e leverdisshme edhe për puntorët me pagë të ulët," - thotë Hubertus Heil, sekretari i përgjithshëm i partisë socialdemokrate. "Bonusi i punës" do të bëjë të mundur, që njerzit me paga të ulta të kenë më shumë para në fund të muajit, të paktën më shumë se ç'parasheh asistenca sociale për të papunët afatgjatë.

Në këtë mënyrë socialdemokratët synojnë të ulin papunësinë, aktualisht mbi 4 milione. Në mbledhjen dyditore të kryesisë së socialdemokratëve gjermanë u vendos edhe ndryshimi i programit të partisë, tashmë 17 vjeçar. Projekti prej 66 faqesh me titullin: "Demokracia sociale në shekullin e 21-të", do të shtrohet për miratim në kongresin e partisë që pritet të zhvillohet në vjeshtë në Hamburg.