1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Boshti Paris-Berlin-Londër ngjall frikë në vendet aderuese në BE

Christoph Scheffer16 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArIO
Megjithë fjalët e bukura në parlamentin gjerman për zgjerimin historik të Bashkimit Evropian në lindje, të rinjtë e ndjejnë veten më shumë se kurrë më parë në role dytësore. Për shembull kur kryeministri çek Vladimir Spidla të vizitojë sot Berlinin ai nuk do të jetë më shumë sesa një figurant në tribunën politike të kryeqytetit gjerman. Pasi në të njëjtën kohë atje do të jenë aktorë të fuqishëm në BE: kancelari gjerman Gerhard Schröder, presidenti francez Jacques Chirac dhe kryeministri britanik Tony Blair. Takime të këtij lloji në rreth të ngushtë ringjallin frikën e vjetër në vendet aderuese. Të fortët në Bashkim mund ta përvetësonin dinamikën e zhvillimeve, ose edhe më keq: të formonin brenda për brenda Evropës një bërthamë, në të cilën integrimi politik të përparonte më shpejt. Sipas kryeministrit çek e ashtuquajtura "Evropë e dy shpejtësive" paraqet një rrezik serioz: "Evropa mbështetet në integrim. Kjo do të thotë në një koncept, në të cilin nuk ka dy shpejtësi. Mendoj se këtu vlen shprehja e presidentit çekosllovak Masaryk, që shtetet ruhen me anë të atyre ideve prej të cilave kanë lindur. Jam i bindur që edhe BE-ja do të mbetet e aftë për të vepruar nëse i përmbahet parimeve të veta: demokracisë, barazisë dhe përpjekjes për koherencë. Të hiqte dorë nga parimi i koherencës do të ishte e rrezikshme për Evropën." Vitin e kaluar ky dyshim është ushqyer para së gjithash nga Gjermania dhe Franca. Qëndrimi i përbashkët në çështjen e Irakut, shfuqizimi i paktit të stabilitetit për monedhën dhe këmbëngulja tek parimi i shumicës së dyfishtë në kushtetutën e ardhshme evropiane - të gjitha këto iu dukën çekëve, sllovakëve, polakëve ose hungarezëve shprehje e një boshti të ri Paris-Berlin, me një synim të vetëm: përqendrimin e një pushteti sa më të madh në BE tek vetja. Fakti që tani në këtë lojë kërkon të marrë pjesë edhe Tony Blair-i përbën një zhgënjim të veçantë, pasi deri tani Londra shihej si garanci për një lidhje të ngushtë të Evropës me SHBA të cilat vendet ish-komuniste i kanë shumë përzemër. "Çfarë Evrope është kjo së cilës po i bashkohemi? Cilave fuqi po u kalojmë pjesë të sovranitetit tonë kombëtar?" Këto janë pyetje polemizuese, të cilat në Çeki i shtron vazhdimisht një njeri: presidenti i shtetit Vaclav Klaus, përfaqësuesi më i zjarrtë i skeptikëve ndaj Evropës në kampin e vendeve të reja anëtare: "Ne po dorëzojmë pjesën e ruajtur të shtetit sovran dhe të pavarur dhe po bëhemi pjesë e një bashkimi shtetesh. Ky është një shndërrim i jashtëzakonshëm, që në historinë e njerëzimit ndodh vetëm rrallë në mijëra vjet. Vende të caktuara e kanë humbur disa herë pavarësinë e tyre përmes pushtimit apo agresionit. Hyrja në BE është një lidhje vullnetare me një tërësi më të madhe, diçka madhore." Megjithatë nëse kjo do të jetë arsye për të festuar, mbetet të shihet, thotë presidenti çek. Për t'u shënuar është fakti që Klaus-i e krahason tërthorazi hyrjen në BE me pushtimin e një vendi dhe prek kështu frikën e hershme të çekëve - pikërisht kundrejt Gjermanisë. Ndryshe nga presidenti konservator Vaclav Klaus kryeministri socialdemokrat e sheh anëtarësimin në BE vetëm pozitivisht, si shtim të lirisë.