1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bota u gëzua dhe Martin Luther King buzëqeshi

Christina Bergmann21 Janar 2009

Mbi një milion amerikanë ndoqën drejtpërdrejt ceremoninë e betimit si president të Barack Obamës, duke u bërë kështu dëshmitarë të një momenti historik.

https://p.dw.com/p/GdDw
Presidenti Barack Obama
Presidenti Barack ObamaFotografi: AP

Miliona vetë në SHBA dhe në të gjithë botën po e prisnin këtë ditë. Me Barack Obamën si presidenti i 44-t i SHBA-së, Amerika fiton një fytyrë të re. Fytyrën e një vendi, i cili nuk e ndjek me kokëfortësi rrugën e nisur pa e vrarë mendjen për humbjen, por të një vendi i cili bashkëpunon me miqtë dhe do që të paktën të bisedojë me armiqtë. Kohët e veprimeve politike individuale, kështu premtoi Barack Obama, kanë marrë fund dhe në sfondin e problemeve globale një gjë e tillë është edhe urgjentisht e domosdoshme.

Fjalimi i presidentit të ri ishte një refuzim i qartë ndaj politikës së paraardhësit të tij. Obama u tërhoqi bashkëkombasve të vet vëmendjen, që duke synuar sigurinë të mos heqin dorë prej vlerave amerikane. Fakti që Amerika është fuqia më e madhe ushtarake e botës nuk duhet të thotë që ajo mund të veprojë si t'i dojë qejfi, tha ai. Dhe presidenti shpjegoi se ai do të orientohet më tepër prej përfundimeve shkencore, se sa prej ideologjisë. Pikërisht për pikëpamje të tilla ai mori edhe votat e pasuesve të tij dhe pritjet e bashkësisë ndërkombëtare janë të mëdha.

Por, për amerikanët kjo ditë ka rëndësi historike edhe për një shkak tjetër. Në fjalimin e tij Obama e skicoi shkurt atë. Ai tha se kombi ua di për nder themeluesve të tij dhe shumë parardhësve të tjerë, që në këtë ditë bën këtë betim të shenjtë, një burrë babait të të cilit përpara as 60 vjetësh nuk do t'i ishte shërbyer në një restorant.

Për shumicën e afro-amerikanëve me zgjedhjen e Barack Obamës si president u përmbush një ëndërr. Por lufta e tyre për barazi nuk ka marrë fund. Ende amerikanët me ngjyrë fitojnë më pak se të bardhët, ende fëmijët e zezakëve kanë mundësi më të këqia shkollimi se ata të të bardhëve. Por ëndërra që nxiti dikur me marshimin e tij në Uashington, aktivisti me ngjyrë për të drejtat e njeriut Martin Luther King, ëndërra për bashkëjetesën në paqe të zezakëve dhe të bardhëve, është bërë edhe më e afërt në SHBA. SHBA-ja ka një president të ri. Bota u gëzua dhe Martin Luther King buzëqeshi.

(PP/aca)