1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brigitte Mohnhaupt lirohet me kusht

Monika Dittrich13 Shkurt 2007

Me këtë shteti i fortë juridik tregon superioritetin e tij

https://p.dw.com/p/AqxY
Mohnhaupt në moshë të re
Mohnhaupt në moshë të reFotografi: picture-alliance/ dpa

Si terroriste ajo ka lënë pas gjurmë gjaku. Brigitte Mohnhaupt konsiderohej në vitet 70 si organizatorja e RAF-it dhe në emër të kësaj guerilje të majtë radikale ajo nuk është ndalur para asgjëje. Ajo ka vrarë njerëz dhe ishte bashkëpërgjegjëse për krizën ndoshta më të rëndë të RFGJ-së. Për të gjitha këto Brigitte Mohnhaupt nuk ka kërkuar ende falje, s´ka treguar pendesë. Dhe megjithatë është mirë që ish terroristja e RAF-it pas 24 vjetesh mund të dalë nga qelia. Sepse tregon që shteti juridik, vendos i paanshëm. Që merr vendime në bazë të ligjeve. Dhe që ndjenjat si hakmarrje, apo dëshpërim nuk luajnë këtu rol.

Gjykata e lartë e landit në Stutgart për fat të mirë nuk është influencuar nga debati i ndezur politik për pendesë dhe mëshirë. Është një nder vlerat bazë të kuptimit tonë për juridiksionin, që edhe të dënuarve të përjetshem, që edhe autorëve të krimeve të renda pas një farë kohe heqje lirie mund t´u jepet një shans për të dalë në liri. Çdo i burgosur ka të drejtë të bëjë kerkesën perkatese. Nuk është fjala për mëshirë. I vetmi kriter është në se i burgosuri përbën një rrezik për sigurinë e shoqërisë apo jo.

Gjykatësit e Stutgartit e konsiderojnë Brigittë Mohnhaupt-in jo më të rrezikshme, fundja ajo ka kontribuar për shperbërjen e RAF-it në vitin 1998. Dhe është mirë që një ish-terroriste në sistemin tonë juridik të mos trajtohet në mënyrë të posaçme. Pikërisht sepse anëtaret e RAF-it donin të trajtoheshin si të burgosur lufte për të shprehur më shumë neverinë e tyre ndaj shtetit gjerman, pikërisht për këtë është e drejtë, që shteti gjerman nuk bie në këtë grackë.

Ndryshe është rasti me të burgosurin e RAF-it, Christian Klar, ai nuk e ka kryer ende denimin minimal, por ka kërkuar falje tek presidenti. Ketu nuk bëhet fjalë për vendim juridik, por varet nga gjykimi i Horst Këhlerit, nëse do ta falet apo jo. Dhe këtu mund të luajë rol kategorija morale e pendesës. Edhe Christian Klar nuk ka kerkuar deri tani falje për veprat e tij. Presidenti Këhler duhet të peshojë ndermjet gjendjes emocionale të shoqërisë, vuajtjes së viktimave dhe të familjareve dhe deshirës të të burgosurit për liri. Por a nuk është një triumf i shtetit, që armiqtë e dikurshëm të sistemit kërkojnë falje?