1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu gjerman zgjat mandatin e misionit ushtarak gjerman në Afganistan

Nina Werkhäuser29 Shtator 2006

Bundestagu gjerman e zgjati mandatin e ushtrisë gjermane në Afganistan për një vit më shumë

https://p.dw.com/p/AqzB
Bundesvehri në Afganistan
Bundesvehri në AfganistanFotografi: AP

Qeveria dhe parlamenti e zgjatën për herë të pestë mandatin e ushtrisë gjermane në misionin e Afganistanit, jo me ndonjë entuziazëm të madh. Sepse analiza e arritjeve të këtij viti është relative. Sidomos në lindje dhe jug të vendit, situata e sigurisë është përkeqësuar dhe numri i atentateve vetëvrasëse po rritet nga dita në ditë. Ndërkohë biznesi me drogën po del jashtë kontrollit. Bilanci i qeverisë gjermanë është se ndonëse janë arritur disa rezultate pozitive, shumë afganë kanë mbetur të zhgënjyer.

Ky zhgënjim mirëkuptohet nga shumë politikanë gjermanë, të cilët merakosen për fatin e Afganistanit. Por ky zhgënjim ka të bëjë edhe me pamundësinë për të ndryshuar diçka. Rreth 3.000 ushtarë ndodhen që prej 5 vitesh në Afganistan në një mision, që kushton shumë fuqi dhe para. Paralelisht me këtë mision, qeveria gjermane po jep ndihma për zhvillim, po ndërton shkolla dhe spitale, po heq minat dhe trejnon vendasit. Por shteti afgan i ngjan ende një shtëpie që ndodhet në fazën e ndërtimit, ku sapo kanë përfunduar punimet në një pjesë, prishet një pjesë tjetër. Përveç kësaj, shpesh herë, ndihmat financiare përfundojnë në xhepat e gabuar.

Problemi kryesor është i njejti që prej 5 vitesh: Talibani nuk është mposhtur ende, lufta nuk ka përfunduar. Trupat ISAF të NATO-s kanë mundur të depërtojnë me shumë vështirësi në kryeqytetin Kabul dhe pjesët e tjera të vendit. Shumë ushtarë kanë humbur jetën dhe NATO ka pranuar ndërkohë publikisht, se ekzistojnë shumë zona që janë tabu për ta në Afganistan.

Qysh prej 5 vjetësh kur filloi misioni dhe numri i sulmeve kundër ushtarëve të NATO-s është rritur çdo vit. Talibani mundohet ta lodhë bashkësinë ndërkombëatre, në mënyrë që ajo t´i tërheqë trupat e saj ushtarake nga Afganistani. Rebelët sabotojnë rindërtimin e vendit, vrasin përfaqësuesit e qeverisë së re dhe mbështesin financiarisht biznesin e drogës.

Por problemi nuk mund të zgjidhet vetëm duke dërguar ushtarë aty. Ata mund të sigurojnë për qetësi vetëm për një kohë të shkurtër, por nuk mund të barazojnë defiçitet që janë krijuar që prej dekadash në vend. Por nga ana tjetër, 5 vite nuk janë kohë shumë e gjatë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të dëshmojë më shumë durim.