1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Burnout - sëmundje e re shoqërore?

1 Maj 2012

Në Gjermani gjithnjë e më shumë njerëz lajmërohen të paaftë për punë për shkak të sëmundjeve psiqike. Arsye kryesore për këtë përmenden rritja e kërkesave dhe shtimi i përgjegjësisë në punë.

https://p.dw.com/p/14ncX
I"Burnout - sëmundje e re shoqërore
"Burnout - sëmundje e re shoqëroreFotografi: picture alliance / dpa Themendienst

Sipas të dhënave të Ministrisë Federale gjermane të Punës përqindja e rasteve të Burnout në mungesat në punë ka shënuar rritje nga 6.6 në 13.1 për qind. Arsye kryesore e rritjes së përqindjes është rritja e kërkesave në punë dhe shtimi i përgjegjësisë, por edhe angazhimi më fleksibël i stafit dhe ndërprerjet e shpeshta të marrëdhënieve të punës. Shumë punëtorë të përkohshëm punojnë në kushte të atilla të cilat mund të ndikojnë negativisht në shëndet.

Numri i kërkesave për pensione të parakoshme për shkak të aftësisë së kufizuar për shkak të sëmundjeve mendore, sipas të dhënave të qeverisë ka shënuar ngritje tek burrat nga 19 000 në vitin 2000 në 31 700 në vitin 2010. Kjo paraqet një rritje prej 66 për qind. Për gratë, shifrat janë edhe më drastike: Këtu, nga 20 000 raste është regjistruar një ngritje në 39 000 raste çfarë do të thotë se kemi të bëjmë me një ngritje prej gati 97 për qind.

Punë me orar të zgjatur
Punë me orar të zgjaturFotografi: picture-alliance/dpa

I pyetur se çfarë e rrit stresin në vendin e punës, profesori Bernhard Allmann, referues në Shkollën e Lartë gjermane për parandalim dhe menaxhim shëndetësor, në një intervistë dhënë gazetës Süddeutsche Zeitung sqaron: "Puna nuk është vetëm burim i të ardhurave, por edhe ndikon në ndjenjën e vetëbesimit dhe në këtë mënyrë është një një burim i rëndësishëm i kënaqësisë në shoqërinë tonë. Profesioni mund të shërbejë për plotësimin e personalitetit të dikujt dhe dëshirën për njohje dhe respekt. Përveç kësaj përmes punës krijohen edhe kontaktet sociale. Megjithatë si në jetën private ashtu edhe në jetën e punës ekzistojnë situata të përditshme, të cilat sfidojnë njerëzit si fizikisht ashtu dhe mentalisht. Por ajo çfarë nga një person perceptohet si një sfidë, tek një person tjetër mund të shihet si një kërcënim", sqaron Bernhard Allmann.

"Burnout është sëmundje e re shoqërore"

Ministria Federale e Punës sqaroi në një komunikatë për shtyp se aktualisht nuk ka nevojë për ndërmarrjen e masave ligjore. Njëkohësisht ministrja von der Leyen ka njoftuar se e ka marrë seriozisht këtë problem. Duhet të ketë parametra për të matur shkallën e ngarkesës, tha ministrja të hënën në kanalin e parë televiziv gjerman ARD. Kompanitë duhet të kenë në dorë mjete me të cilat do të arrijnë zgjidhje. "Shumica e punëdhënësve duan të ndryshojnë diçka por ata nuk e dijnë se si," tha von der Leyen.

Burnout
Burnout

"Burnout është sëmundje e re shoqërore," deklaroi deputetja e majtë Jutta Krellmann. Qeveria federale duhet të veprojë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në njërën anë duhet të reduktohet stresi në vendet e punës, në anën tjetër duhet të bllokohen format e pasigurta të punësimit, të tilla si puna me punëtorë të huazuar dhe puna e përkohshme.

Ndërkaq ekspertja për punë nga partia të Gjelbrit, Beate Müller-Gemmeke akuzoi qeverinë për shpërfilljen e zhvillimit të sëmundjeve psiqike në vendin e punës. "Fakt është se gjithnjë e më shumë punëtorë janë duke vuajtur nën presionin në rritje të punës dhe intensifikimin e punës", tha deputetja e Bundestagut në Berlin. "Kjo posaçërisht pengon që punëtorët e vjetër të punojnë më gjatë". Por ajo gjithashtu i shkakton ekonomisë kombëtare edhe kosto në lartësi prej miliardave.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama