1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bushi sërish në Evropë

Daniel Sheshkevic5 Maj 2005

Presidenti amerikan Xhorxh Bush do të udhëtojë të premten për të tretën herë këtë vit në Evropë. Në qendër të qëndrimit të tij pesëditor janë ceremonitë në Moskë në nëntë maj për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë 60 vjet më parë, me fitoren e aleatëve kundër Gjermanisë naziste. Veç kësaj , Bushi do të vizitojë Letoninë, Gjeorgjinë dhe Hollandën

https://p.dw.com/p/ArPS
Nje punëtor rregullon një poster mirëseardhjeje për presidentin Bush në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi
Nje punëtor rregullon një poster mirëseardhjeje për presidentin Bush në kryeqytetin e Gjeorgjisë, TbilisiFotografi: AP

Udhëtimi i Bushit është një akt diplomatik i ecjes mbi tel. Nga njëra anë ai shkon në Moskë, për të përjetuar si 50 kryetarët e tjerë të shteteve edhe qeverive në krahun e presidentit Putin paradën ushtarake për fitoren e Ushtrisë së Kuqe mbi Gjermaninë e Hitlerit 60 vjet më parë. Kjo mund të kuptohet edhe si gjest përballë Rusisë, e cila me mbi 27 milionë vetë të vrarë në luftë, mbajti një nga peshat kryesore në Luftën e Dytë Botërore.

Por më parë, në celje të udhëtimit të tij, Bushi do të vizitojë kryeqytetin e Letonisë, Rigën, ku do të takohet të shtunën me presidentët e tri republikave baltike. Tri shtetet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia kanë qenë pjesë të Bashkimit Sovjetik, por para një viti u bënë anëtarë të NATO-s.

Këtë pjesë të udhëtimit, vëzhguesit e shohin si sinjal të Bushit ndaj Moskës, që ajo ta respektojë pavarësinë e ish-republikave sovjetike dhe përkatësinë e tyre në sferën perëndimore të ndikimit. Jo më kot, këshilltari i sigurisë i Bushit Stefen Hadli i kërkoi të mërkurën Rusisë të anullojë zyrtarisht Paktin Molotov-Ribbentrop të vitit 1939, më të cilin Stalini aneksoi vendet balltike:

"Bashkimi Sovjetik e anulloi në vitin 1989 de facto Paktin Molotov-Ribentrop. Ne mendojmë se për Rusinë, si shtet pasardhës i Bashkimit Sovjetik do të ishte me vend që të bënte të njëjtën gjë."

Presidenti Bush do të takohet një ditë përpara festimeve me presidentin e Rusisë, Putin, për një bisedë bilaterale. Kohët e fundit, tendencat antidemokratike në Rusi dhe vendimi i Moskës për t'i dërguar armë Sirisë kanë shkaktuar iritime në Uashington. Hadli e bëri të mërkurën të qartë, megjithatë, se qëllimi kryesor i udhëtimit nuk është trajtimi i problemeve aktuale politike:

"Synimi i udhëtimit është që të përkujtohen viktimat, që patën amerikanët, evropianët dhe të tjerë, për t'i dhënë fund një tiranie dhe për të festuar njëkohësisht triumfin e demokracisë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës."

Veç Rusisë dhe Letonisë, Bushi do të vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Hollandën. Në një varrezë ushtarësh në afërsi të Mastrihtit Bushi do të vendosë një kurorë për ushtarët e rënë amerikanë të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.