1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bushi synon ta bëjë për vete Gjermaninë për politikën e tij të jashtme

Peter Filip8 Maj 2006

Pak ditë pas vizitës së kancelares Angela Merkel mediet në Gjermani kanë publikuar intervista me presidentin e ShBA, Xhorxh Bush. Mesazhi i tij është: e kam falur refuzimin gjerman ndaj luftës së Irakut, por Gjermania duhet të qëndrojë krah për krah ShBA në çështjen e Iranit. A është ky qëndrim një meritë e kancelares Merkel?

https://p.dw.com/p/Aqq5
Angela Merkel dhe Xhorxh Bush
Angela Merkel dhe Xhorxh BushFotografi: AP

Vizitat e kancelares në Uashington u shoqëruan në Gjermani nga një entuziazëm i pamasë me vlerësimet: Angela Merkel di ta bëjë për vete zotërinë e Shtëpisë së Bardhë, vlerësohet harmonia midis të politikanëve dhe suseksesi matet me zgjatjen e bisedimeve më shumë se koha e planifikuar. Por suksesi matet edhe me faktin që kancelarja mundi të bëjë reklamë për investimet amerikane në Gjermani dhe që Xhorxh Bush ka premtuar një vizitë në zonën elektorale të Merkelit.

Por në këtë mes mbetet jashtë vëmendjes që të gjitha këto janë vetëm vogëlsi krahasuar me atë që luhet në të vërtetë. Këtu kemi të bëjmë me një "ofensivë sharmi" të një kancelareje gjermane, e padyshim jo me një "ofensivë sharmi" të presidentit të ShBA. Bushi fare pa karizëm synon që ta bëjë për vete Gjermaninë për politikën e jashtme të tij. Për këtë qëllim ai është edhe i gatshëm që të pranojë papritur të japë intervista televizive dhe për gazetat bulevardeske gjermane. Madje ai e ka kapërdirë tashmë frontin e krijuar prej refuzimit gjerman ndaj luftës së Irakut duke shprehur edhe mirëkuptim për këtë qëndrim.

Bushi tani nuk i intereson më Iraku, por Irani. Për të avancuar në këtë drejtim atij i nevojitet mbështetja kudo qoftë. Këtë ai nuk e gjen mbështetje as tek Kina dhe as tek Rusia. Madje tani Uashingtoni jep një dëftesë negative për demokracinë në Rusi, ndonëse deri më sot s´ka ndryshuar asgjë dhe pavarësiht nga fakti që Bushi vazhdimisht thekson, se mund të flasë hapur me Putinin.

Ndërsa nga kancelarja Angela Merkel presidentit të ShBA i kriojohet një përshtypje tjetër. Në një kohë që Rusia bashkë me Kinën janë pengesa kryesore për një strategji rigoroze të Uashingtonit kundër Iranit, qeveria e Merkelit siguron, se do të mbështesë strategjinë amerikane.

Nga jashtë një gjë e tillë nuk ka ndonjë peshë, pasi deklarohet se synohet që "problemi" të zgjidhet me rrugë diplomatike. Megjithëse prej kohësh dihet, se diplomacia në mënyrën e të menduarit të shtëpisë së bardhë do të thotë: që pala kundërshtare duhet të tërhiqet, në rast nevoje mund të përdoret edhe dhuna. Por pala kundërshtare nuk është e gatshme të lëshojë pe- nga Teherani s´ka asnjë sinjal në këtë drejtim.

A është Gjermania vërtetë e gatshme që mbështesë një opcion të tillë? Mos vallë biseda mes kancelares dhe Bushit pranë vatrës në shtëpinë e bardhë ka dhënë efekt për këtë, apo ndoshta intervista e Bushit për gazetën "Bild am Sonntag"? Dhe një pyetje tjetër që shtrohet: është Gjermania vërtetë e gatshme, para së gjithash, a është ajo në gjendje që deklaratat e saj të solidaritetit me Izraelin në rast nevoje t´i pasojë edhe me vepra? "Solidariteti i pakufizuar" i Gerhard Shrëderit me ShBA më 11 shtator nuk u erdhi pështat disa gjermanëve. Sa të mëdha do të jenë rezervat në rast se do të kërcënohet Izraeli?

Kushdo që entuziazmohet sot në Gjermani për afrimin sërish me Uashingtonin, duhet të mos ketë iluzione: dora e shtrirë e Bushit nuk duhet të kuptohet patjetër si një ftesë për partneritet strategjik, ajo mund të nënkuptojë edhe atë që shkurhej dikur në etiketat amerikane "Uncle Sam" të rekutirimit në Luftën e Parë Botërore: "I want you!"