1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gent Cakaj: Vendimi i BE me rëndësi strategjike

25 Mars 2020

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në detyrë, Gent Cakaj, në një intervistë për Deutsche Wellen flet për rëndësinë e vendimit të BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/3a1X5
Gent Cakaj Albanien Minister für äußere Angelegenheiten
Gent CakajFotografi: Ministry of Foreign Affairs/Albania

Deutsche Welle: Çfarë e bën tejet të rëndësishëm vendimin e BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në kontekstin edhe të BE dhe të rajonit?

Gent Cakaj: Vendimi i BE është kurorëzimi i arritjeve të shumta të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë edhe fillimi i detyrave të reja, hapja e shumë kapitujve të rinj. Ai pritet t'u japë një nxitje dhe dinamikë të shtuar reformave të brendshme në Shqipëri dhe progresit në të gjitha ҫështjet që lidhen me pesë prioritetet kyçe. Vendimi pozitiv i sapomarrë i BE është shumë i rëndësishëm pasi përbën një instrument më shumë në shërbim të reformave dhe transformimit të Shqipërisë. Ai dëshmon se, pas shtyrjeve, nga qershori 2018 për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, axhenda e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor është funksionale dhe prania e BE në rajonin e Ballkanin Perëndimor po bëhet gjithmonë dhe më e fuqishme.

Në këtë kuptim hapja e negociatave të anëtarësimt është lajm i mirë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Edhe pse në pozita shumë sfiduese për shkak të situatës nga COVID- 19, BE arriti të marrë një vendim politik, me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike. Zgjerimi është kthyer përsëri në drejtimin e duhur dhe bashkë me të edhe besueshmëria e perspektivës europianë të vendeve të të rajonit tonë. 

Deutsche Welle: Cilat janë konkluzionet për Shqipërinë në raportin e sapovotuar të Këshillit Europian nga shtetet anëtare të BE?

Gent Cakaj:  Komisioni Europian, (KE) ka dhënë tri vlerësime pozitive për Shqipërinë dhe tri rekomandime të qarta për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mbi këtë bazë, Shqipëria qartësisht i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim është mbështetur mbi meritat e saj madhore. Edhe në vendimin e djeshëm, vendet anëtare kanë vlerësuar pozitivisht progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në plotësimin e kushteve të paraqitura nga Këshilli Europian në qershor 2018. Në dritën e progresit të arritur në reformat dhe plotësimin e kushteve të vendosura në mënyrë unanime nga Këshilli në qershor 2018, ai vendosi hapjen e negociatave të pranimit me Republikën e Shqipërisë. Pavarësisht disa kushteve për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, kjo vendimmarrje mbetet me rëndësi historike për Shqipërinë.

Deutsche Welle: Cilat janë kushtet e reja që Shqipëria duhet t'i plotësojë para zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare?

Gent Cakaj: Këshilli Europian vendosi që Shqipëria të plotësojë disa kërkesa para kësaj konference: reformën zgjedhore, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe përfundimin e ngritjes së strukturave të posaҫme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Lidhur me këto çështje puna ka filluar dhe është arritur progres i dukshëm. Prandaj, këto kushte nuk duhen parë si elemente shtesë, por si përpjekje për thellim të reformave që tanimë ka ndërmarrë  Shqipëria. Ky është kuadri i përcaktuar i reformave të brendshme, me 5 prioritetet kyҫe. Në fund, vlen të theksohet se Komisioni tre herë ka dhënë vlerësim shumë  pozitiv për performancën e Shqipërisë lidhur me këto çështje.

Deutsche Welle: KE konstatoi në fillim të këtj muaji, kur përditësoi progresin e Shqipërisë dhe rikonfirmoi rekomandimin pozitiv për "progres të limituar” në disa fusha si psh në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe administratës publike etj. Ku është aktualisht Shqipëria në këto fusha dhe në plotësimin e kushteve të Bundestagut gjerman?

Gent Cakaj: Duhet theksuar paraprakisht një fakt: Raporti i KE konfirmoi që progresi i Shqipërisë në fushat e 5 prioriteteve është përmbajtësor, përfshirë reformën e pashembullt në drejtësi dhe për pasojë Shqipëria meriton hapjen menjëherë të negociatave për anëtarësim. Në bazë të këtij raporti është marrë edhe vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Kjo tregon se përparimi i Shqipërisë është i mjaftueshëm për të filluar bisedimet, ndërkohë që vullneti ynë është i palëkundur për të vazhduar me reforma të thella dhe avancuar më tutje në rrugën evropiane.

Deutsche Welle:  Çfarë vjen pas vendimit për hapjen e negociatave? Çfarë sfidash ka faza e re ku po hyn Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE?

Gent Cakaj: Vjen nisja e një pune të madhe për përgatitjen e kuadrit negociator dhe kryerjen e procesit të analizës së nivelit të përputhshmërisë së legjislacionit tonë me atë të BE. Një sfidë tjetër është përfundimi i strukturës shtetërore që do të jetë përgjegjëse për negociimin. Procesi do të jetë jo i shkurtër dhe jo pa sfida, por jemi të gatshëm dhe me vullnet të qartë politik si edhe të armatosur me një skuadër shumë profesionale të përballemi me këto sfida, një nga një.

Deutsche Welle: Jeni optimist, po cilët faktorë në Shqipëri, rajon dhe BE e ushqejnë optimizmin tuaj?

Gent Cakaj: Jam optimist por edhe realist. Vendimi i BE për hapjen e negociatave është një arritje shumë e madhe, sepse na fut në një marredhënie të re me BE, përkatësisht në atë të nisjes së rrugës për të arritur në të ardhmen statusin final të një anëtari. Ky është një proces i gjatë, por tani rëndësi ka që me fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut  tashmë është krijuar një momentum i ri në marrëdhëniet e BE me rajonin.

Tani është shumë e rëndësishme të thellohet marrëdhënia, të rritet ndërveprimi jo vetëm mes vendeve në rajon, por edhe të rajonit me BE. Falënderojmë vendet anëtare jo vetëm për dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve, por edhe për mesazhin e qartë se reformat e prekshme bëjnë të mundur përparimin në rrugëtimin europian.

 

Intervistoi:  Ani Ruci