1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Christian Wulff emërohet për president të Gjermanisë

4 Qershor 2010

Kandidati i koalicionit konservator-liberal për postin e presidentit të Gjermanisë është kryeminsitri i Landit të Saksonisë së Poshtme Christian Wulff.

https://p.dw.com/p/Nhtt
Fotografi: AP

"I Falenderohem CDU-së, CSU-së dhe FDP-së për besimin e madh, për të më dhënë një detyrë kaq të madhe me një përgjgjësi të madhe, postin e presidentit federal. Gëzohem për këtë detyrë", këto ishin fjalët e para të kandidatit për president, Christian Wulff, në mbrëmje në ndërtesën e Rajhstagut. Më parë aty ishin konsultuar grupet parlamentare të tri partive qeveritare - kristiandemokratët, kristiansocialët dhe liberalët.

Kandidaturën e kryeminsitrit të landit të Saksonisë së Poshtme e kishte njoftuar pak më parë vetë kancelarja Angela Merkel: "E njoh Christian Wulffin si një njeri kureshtar, që provon të renë, që është krijues e i hapur me njerëzit, por Christian Wulff është edhe i lidhur në një sistem vlerash orientuese, prandaj e shoh atë në të ardhmen si një president të mrekullueshëm", - tha ndër të tjerash kryetarja e Unionit Demokristian (CDU) para gazetarëve të mbledhur në ndërtesën e Rajhstagut në Berlin.

Von der Leyen rrëzohet

Bundesfamilienminsterin Ursula von der Leyen
Ministrja e Punës Ursula von der LeyenFotografi: AP

Për kandidaturën e tij kishin rënë dakord më parë presidiumet e tri partive të koalicionit, demokristianët (CDU), krist-socialët (CSU) dhe liberalët (FDP). Kryetari kristiansocialëve Horst Seehofer u tregua i kënaqur që "koalicioni kristian-liberal arriti kaq shpejt në një propozim të përbashkët, megjithëse siç tha ai, kishte disa kandidate dhe kandidatë shumë të përshtatshëm."

Fjala ishte sidomos për ministren e Punës Ursula von der Leyen, e cila gjatë ditëve të fundit ishte përfolur nëpër medie si kandidatja më e preferuar e kancelares Merkel. Partia kristiansociale kishte qenë njëra nga kundërshtaret kryesore të kandidaturës së ministres aktuale të Punës.

Joachim Gauk- kandidati i socialdemokratëve dhe të gjelbërve

Partitë opozitare e kanë refuzuar kandidaturën e Christian Wulffit dhe do të dalin me kandidatë më vete. Socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit kanë propozuar ish-disidentin e RDGJ-së dhe e të ngarkuarin e parë për dokumentet e Stasi-t, 70-vjeçarin Joachim Gauk, i cili gëzon respekt edhe në radhët e CDU-së.

Angela Merkel Christian Wulff
Kancelarja Angela Merkel, dhe kryeminsitri i landit të Saksonisë së PoshtmeFotografi: AP

Kryetari i partisë socialdemokrate Sigmar Gabriel tha se me këtë kandidaturë opozita kuq-gjelbër shpreson të fitojë edhe vota nga kampi konservator. "Në këtë periudhë kohe kaq të vështirë kemi nevojë për një president, që qëndron përmbi ndasitë partiake. Por zonja Merkel nuk e donte një gjë të tillë", kritikoi Gabriel në televizionin gjerman, ARD.

Kandidaturë e befasishme

Sa e papritur ishte dorëheqja e Horst Koehler-it të hënën në mesditë, aq e papritur vjen edhe kandidatura e 50-vjeçarit Wulff, pasi nga radhët e CDU-së kishte emra të tjerë burrash, që përfliteshin, siç ishte për shembull ai i kryetarit të parlamentit, Norbert Lammert, apo i ministrit aktual të financave, Wolfgang Schaeuble.

Nënkryetari i socialdemokratëve Hubertus Heil thotë në një intervistë për numrin e së premtes së gazetës Mitteldeutsche Zeitung se mbas dorëheqjes së kryeministrit të Hessenit Roland Koch, kandidatura e Wulfit është "hakmarrja e paktit të Andeve". "Pakti i Andeve" quhet në Gjermani një rreth jozyrtar i disa politikanëve demokristianë, në mesin e të cilëve janë Roland Koch, Christian Wulff, komisioneri gjerman në BE, Guenther Oettinger dhe kryeminsitri i Landit të Zarës, Peter Mueller.

Ndërsa politologu i njohur Gerd Langghuth tha në një intervistë për kanalin televiziv Phoenix se Merkel ndoshta e ka propozuar vetë Wulffin, pasi me zgjedhjen e tij si president, kancelares i largohet rivali më serioz.

Presidenti më i ri

Presidenti i ardhshëm i Gjermanisë do të zgjidhet më 30 qershor nga Asambleja Federale. Aty marrin pjesë deputetët e parlamentit federal, si dhe po aq përfaqësues të komunave, landeve si edhe njerëz të thjeshtë nga populli. Deri atëherë Wulff do të ketë mbushur 51 vjeç, por kjo nuk do të sjellë asnjë ndryshim në faktin që ai pritet të jetë presidenti më i ri, që ka pasur ndonjëherë Gjermania.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica