1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CIA: Në Irak po krijohet një inkubator i ri i terrorizimit ndërkombëtar

Daniel Sheshkevic15 Janar 2005

Sipas një studimi të Këshillit kombëtar amerikan për shërbimin sekret, që punon në shërbim të CIA-s, në Irak po krijohet një inkubator i ri i terrorizimit ndërkombëtar. Sipas raportit të fundit të kësaj organizate, qendra e aktiviteteve terroriste është shpërngulur tani nga Afganistani për në Irak. Po sipas këtij studimi invazioni amerikan në Irak është plotësisht bashkëpërgjegjës për këtë fenomen.

https://p.dw.com/p/ArR0

Çdo pesë vjet CIA hedh një vështrim drejt së ardhmes. Në analizën e fundit 120-faqëshe, në përpilimin e së cilës bashkëpunuan rreth 1000 ekspertë amerikanë dhe të huaj, përshkruhet se si do të jetë zhvillimi i botës në vitin 2020 dhe se cilat janë kërcënimet dhe tendecat globale për SHBA-të.

Në lidhje me çështjen e terrorizimit, sipas mendimit të analistëve të CIA-s rëndësia e rrjetit terrorist të Al-Kaidës pritet që për një periudhë afatmesme të zhduket. Ndërkohë që ky grup terrorist mendohet se do të transplantohet nëpër grupe të tjera terroriste që veprojnë në vendet islamike. Sipas raportit Iraku përbën një kërcënim për terror. Sipas Kryetarit të Këshillit kombëtar amerikan për shërbimin sekret, Robert Hutchings, Iraku "është për momentin një magnet për veprimtarinë e terroristëve ndërkombëtarë".

Në raportin në fjalë thuhet se "anëtarët e Al-Kaidës, që janë stërvitur dhe përgatitur në Afganistan do të zhduken dalë-ngadalë dhe do të zëvendësohen pjesërisht prej luftëtarësh me përvojë nga konflikti në Irak, që do të përhapen në kuadër ndërkombëtar."

Sipas këtij raporti qendra e aktiviteteve terroriste është shpërngulur tani nga Afganistani për në Irak. Por raporti thekson edhe një herë, se edhe po të ketë pasur lidhje mes regjimit të Sadam Huseinit dhe Al-Kaidës, ato kanë qenë vetëm të rastësishme dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë aleancë mes tyre, sikurse pretendon qeveria e Bushit.

Sipas ekspertëve ndryshe nga koha e Sadamit, sot terroristët e Al-Kaidës po lidhin aleancë me forcat e regjimit të vjetër të partisë së Sadam Huseinit, për të ndërmarrë akte terroriste. Po ashtu analistët e CIA-s tregojnë se gjendja e paqëndrueshme në vend dhe gjendja e pasigurt e kufijve pas ndërhyrjes amerikane, e kanë kthyer Irakun në një bazë ku mund të fshihen terroristët, të cilët janë armatosur prej depove të armëve të pakontrolluara.

Në raport theksohet se konflikti në Irak ka pasur një efekt solidariteti në radhët e muslimanëve, në mënyrë të ngjashme si mosmarrëvshjet mes Izraelit dhe Palestinës.

Sipas ekspertëve rrezik të madh për të ardhmen përbën fakti se terroristët mund të prodhojnë në laboratorë, me madhësinë e një kuzhine, armë bilogjike. Ndërkohë që ka fare pak gjasa që ata të shtien në dorë armë bërthamore.

Sipas prognozave të ekspertëve të shërbimeve sekrete edhe në vitin 2020 SHBA do të vazhdojnë të jenë ushtarakisht më të fortat në botë. Nga ana tjetër mendohet se Kina dhe India do të shndërrohen në superfuqi ekonomike. Matja e forcave me to do të përbëjë për SHBA-të një sfidë të madhe, në kuadër të së cilës SHBA mund të humbasin përparësinë e tyre teknologjike.