1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Colin Powell nuk shkon në Athinë për ceremoninë e mbylljes së lojrave olimpike

28 Gusht 2004

Uashingtoni thotë se arësyeja është "gjendja në Irak dhe Sudan", por analistët e shohin atë në disaprovimin e atletëve amerikanë nga publiku vendas

https://p.dw.com/p/ArGX
Protestohet kundër vizitës së Powellit në Greqi
Protestohet kundër vizitës së Powellit në GreqiFotografi: AP

Vizitori i lartë nga Uashingtoni, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powel, i cilinesër në drekë pritej në Athinë për bisedime por kryesisht për të marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së Lojrave Olimpike, e cila do të zhvillohet nesër në darkë në Stadiumin Olimpik, më në fund nuk do të vijë në kryeqytetin grek. Athina privohet kështu nga prezenca e funksionarit të lartë amerikan, nga i cili priste vlerësime maksimale për suksesin e Lojrave. Një gjë që Colin powel e bën në letrën e tij drejtuar homologut të tij grek, Petros Moliviatis, dhe të publikuar në mesditë nga ministria e jashtme greke, ku flet shprehimisht për "sukses sensasional" dhe "mjedis të sigurt", arritje për të cilat organizatorët "meritojnë medalje të arta" sipas tij.

Në letrën e tij shefi i diplomacisë amerikane sqaron se arësyeja për të cilën do të mbetet në Uashington është "gjendja në Irak dhe Sudan" dhe detyrimet që i lindin prej saj. Njëkohësisht propozon shtyrjen e vizitës për 15-ditëshin e parë të Tetorit, gjatë sëcilës do të diskutohen çështjet bilaterale por edhe ato në lidhje "me Ballkanin dhe përspektivat e Irakut dhe Afganistanit".

Sqarimet e letrës, që jo pa qëllim u publikua menjëherë, nuk ishin të mjaftueshme për të evituar komentet e ndryshme në mesin e numrit të madh të korrespondentëve të huaj të akredituar në Athinë. Për mediat e huaja, që lanë disi në plan të dytë garat e sotme të notit dhe atletikës, arësyeja e vërtetë e anullimit të vizitës ishte pakënaqësia e Uashingtonit për gjestin antisportiv të disaprovimit të atletëve amerikanë nga një pjesë e mirë e mijëra spektatorëve, të Enjtën në darkë, në garën e 200 metrave për meshkuj, nga korsitë e së cilës mungonte idhulli i tyre, edhe pse i përfolur për skandalin e dopingut, Kostas Qenderis. Manifestimet për këtë të fundit, nga ana tjetër, që arriten cakun e apoteozës, shkaktuan dhe një barazh komentesh negative të mediave më të mëdha të botës, por edhe dyzimin e madh të opinionit vendas që ka venë në pozitë qeverinë e cila preferon të mos bëjë asnjë koment. Njëkohësisht, nga analistët lihet të kuptohet se kurrsesi në këtë vendim të tij Uashingtoni nuk u ndikua nga manifestim i mbremshëm antiamerikan në qendër të Athinës të rreth 3.000 demostruesve, pjesa dërrmuese ithtarë të Partisë Komuniste, që kërkonin anullimin e vizitës së shefit të diplomacisë amerikane.